Ballina Aktualitet Deklarata e ish-kreut të SHISH për Klodiana Lalën/ Unioni i Gazetarëve: Duhet...

Deklarata e ish-kreut të SHISH për Klodiana Lalën/ Unioni i Gazetarëve: Duhet të sqarohet, mbart vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit

58
0

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas deklaratës së ish-drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj gazetares investigative, Klodiana Lala.

Në një deklaratë, UGSH e cilëson shqetësuese deklaratën e Hysenit, e cila u bë para kamerave të mediave, duke kërkuar që pretendimet e bëra ndaj gazetares të sqarohen nga organet kompetente.

“UGSH e konsideron deklaratën e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, drejtuar gazetares Klodiana Lala, në kushtet e një të pandehure të pyetur, si shantazh dhe deklarim shqetësues, i cili ekspozon faktin e survejimit të gazetarëve në Shqipëri”, thuhet në reagim.

UGSH i referohet edhe akuzave të bëra ndaj Klodiana Lalës për takime me persona të cilësuar si “spiunë serbë”, duke kërkuar që këto pretendime të bëhen pjesë e një procesi sqarues nga organet e hetimit.

Sipas Unionit, kjo duhet të bëhet për të përjashtuar çdo abuzim apo shantazh publik ndaj gazetares nga zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Deklarata të tilla mbartin vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit edhe kur vijnë nga persona nën akuzë dhe si mbartës të një statusi si ish-titullare e shërbimit inteligjent”, thekson UGSH.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon që deklaratat e bëra ndaj gazetares të saktësohen dhe të hetohen mbi baza ligjore dhe me transparencë, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e integritetit profesional të Klodiana Lalës.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Shantazhimi apo ndalimi i gazetarëve në krye të detyrës, përbën jo vetëm akt të dënueshëm, por dëshmojnë një klimë anti lirie për raportim dhe kurajo profesionale
Tiranë më 24.09.2026

Dy episode të ndodhura sot në jetën publike të kryeqytetit tonë, në Tiranë, rikthejnë në vëmendjen e opinionit publik marrëdhënien problematike mes policisë së shtetit dhe reporterëve në terren.
UGSH shpreh indinjatën ndaj shoqërimit të gazetares Vjolanda Peca e cila raporton për Citizens.al, ndërsa po raportonte protestën që zhvillohej sot në mjedisin para Kuvendit të Shqipërisë, ku ndodheshin qytetarë të tubuar. Shoqërimi i gazetares, ( rast i përsëritur edhe në ditë të mëparshme), sikundër dhe mbajtja e saj e ndaluar, përbën një shkelje dhe cënim të rolit që ka reporteri në krye të detyrës.
UGSH i drejtohet ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita, me kërkesën që ky rast të ndriçohet dhe episode të tilla me reporterët të mos përsëriten.

Kësi rastesh po përfshihen në të gjitha raportet periodike të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që indeksojnë lirinë e raportimit dhe medias në botë dhe rajon.

Episodi i dytë ka të bëjë me akuzën e drejtpërdrejtë në kamerat e shumë mediave të ish zyrtares së akuzuar, ndaj gazetares Klodiana Lala.

UGSH e konsideron deklaratën e ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni drejtuar gazetares Klodiana Lala në kushtet e një të pandehure të pyetur, si shantazh dhe deklarim shqetësues, i cili ekspozon faktin e survejimit të gazetarëve në Shqipëri.

Akuza ndaj gazetares për takime me spiunë serbë, duhet bërë pjesë e një procesi sqarues nga organet e hetimit, për të përjashtuar çdo abuzim apo shantazhim të tillë publik nga zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë shtetërorë.

Deklarata të tilla mbartin vlerën e një atentati ndaj integritetit të gazetarit edhe kur vijnë nga persona nën akuzë dhe si mbartës të një statusi si ish titullare e shërbimit inteligjent.

Si e tillë, kjo deklaratë akuzuese ndaj gazetares, prej ish zyrtares nën hetime dhe akuza për abuzime të rënda, duhet saktësuar dhe ndriçuar me transparencë dhe plotësisht mbi baza ligjore, pa i dhënë hapësirë çdo abuzimi dhe lëndimi të integritetit të koleges.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë