Prokuroria gjermane ka nisur hetimet ndaj një 105-vjeçari, i dyshuar se ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e disa të burgosurve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shërbente si roje në kampin nazist të të burgosurve të luftës, Stalag 326 VI K, në Senne të Gjermanisë veriperëndimore.
Lajmin e bëri të ditur prokurorja e Dortmundit, Sonja Frodermann, e cila tha se hetimi ndaj të moshuarit është ende në zhvillim. Një çështje e ngjashme ishte hapur edhe ndaj një ish-roje tjetër të kampit në Senne, por ai i dyshuar vdiq disa muaj më parë në moshën 99-vjeçare.
Autoritetet gjermane nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi identitetin e dy ish-rojeve. Rastet nënvizojnë vështirësitë me të cilat përballen prokurorët gjermanë në përpjekjet për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e kryera gjatë regjimit nazist, pasi shumica e të dyshuarve të mbetur janë tashmë në moshë shumë të avancuar ose kanë vdekur.
Më shumë se 5.3 milionë sovjetikë u zunë robër nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe besohet se rreth gjysma e tyre vdiqën në robëri. Kampi Stalag në Senne ishte një prej kampeve më të mëdha të këtij lloji.
Sipas memorialit të kampit, një në tre robër sovjetikë që hynin në Gjermaninë naziste gjatë viteve 1941-1945 kalonte përmes kompleksit në Senne. Shumë prej tyre më pas detyroheshin të punonin në kushte të rënda në rajon.
Kushtet e jetesës në kamp ishin katastrofike, ndërsa të burgosurit përballeshin me keqtrajtime, uri dhe kequshqyerje. Në Senne u regjistruan rreth 180 mijë deri në 200 mijë robër, shumë prej të cilëve vdiqën dhe dhjetëra mijëra u varrosën në këtë zonë. Në kamp u mbajtën gjithashtu robër nga Franca, Polonia, Serbia dhe Belgjika.
Në Gjermani nuk ka parashkrim për veprën penale të vrasjes apo bashkëpunimit në vrasje që prej vitit 1979, një ndryshim që ka bërë të mundur ndjekjen penale të krimeve të epokës naziste edhe dekada më vonë.
Edhe një tjetër ish-roje kampi, tashmë mbi 100 vjeç, raportohet se po hetohet për aktivitetin e tij në kampin Stalag VI A në Hemer.
Megjithatë, ndjekja penale e autorëve të dyshuar më shumë se 80 vjet pas përfundimit të luftës mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Katër vite më parë, një ish-roje 101-vjeçar i kampit të përqendrimit Sachsenhausen u dënua me pesë vite burg për bashkëpunim në vrasje. Josef Schutz u konsiderua personi më i moshuar i dënuar ndonjëherë për krime naziste, por nuk e vuajti dënimin dhe vdiq në vitin 2023, ndërsa apelonte vendimin.
Në vitin 2022, një ish-sekretare e një kampi nazist përqendrimi u shpall fajtore për ndihmë në vrasje dhe u dënua me një masë të pezulluar. Ajo vdiq vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare.
Hetimet për krimet naziste në Gjermani zhvillohen nga prokuroritë publike, ndërsa rastet fillimisht trajtohen nga Zyra Qendrore për Hetimin e Krimeve Naziste në Ludëigsburg.







