Ballina Kulturë Boudica dhe Teuta: Si ndërtohet kujtesa e një figure historike

Boudica dhe Teuta: Si ndërtohet kujtesa e një figure historike

35
0

Nga Adrian Progni

Ka një pyetje që ia vlen t’ia bëjmë vetes pa komplekse: pse Boudica është sot një figurë e njohur në të gjithë botën, ndërsa Teuta, një mbretëreshë e fuqishme e Adriatikut dhe një nga figurat më të rëndësishme të historisë së lashtë ilire, mbetet shumë më pak e njohur jashtë hapësirës shqiptare dhe ballkanike?

Përgjigjja nuk qëndron vetëm te madhësia e historisë që ka lënë pas secila prej tyre. Qëndron edhe te mënyra se si një shoqëri zgjedh ta ruajë, ta tregojë dhe ta përcjellë historinë e vet.

Boudica ishte mbretëresha e Icenëve në Britaninë e shekullit I të erës sonë. Pas vdekjes së burrit të saj, Prasutagus, dhe përplasjes me autoritetin romak, ajo udhëhoqi një kryengritje të madhe kundër Romës, e cila shpërtheu në vitin 60 ose 61 të erës sonë. Kryengritësit morën Camulodunum-in, Londiniumin dhe Verulamiumin, përpara se të mposhteshin nga forcat romake të drejtuara nga Suetonius Paulinus. Fushata ishte shumë e shkurtër dhe zgjati rreth dy muaj, përpara se Boudica të mposhtej nga forcat romake.

Por historia e saj nuk përfundoi me humbjen.

Gjatë shekujve, Boudica u shndërrua nga një figurë e historisë romake në një figurë të kujtesës britanike. Ajo hyri në kronika, poezi, drama, pikturë, skulpturë dhe letërsi, ndërsa në epokën moderne historia e saj u përcoll përmes romaneve, filmave, serialeve, dokumentarëve, librave për fëmijë dhe materialeve edukative. Në kujtesën britanike, Boudica nuk u ruajt thjesht si mbretëresha që u rebelua kundër Romës, por gradualisht u shndërrua në një simbol të qëndresës ndaj pushtimit të huaj dhe të një të kaluare që Britania e përvetësoi si pjesë të identitetit të saj historik. Sidomos nga periudha moderne e më pas, figura e saj u përdor për të ndërtuar një lidhje simbolike mes Britanisë së lashtë dhe kombit britanik të kohëve moderne.

Një nga shenjat më të dukshme të kësaj pranie është monumenti i saj në Londër, pranë Ëestminsterit, vepër e Thomas Thornycroft, që e paraqet mbi karrocën e luftës me vajzat e saj. Vendosja e saj në zemër të kryeqytetit britanik e shndërroi Boudicën në një figurë që nuk ekziston vetëm në librat e historisë, por edhe në hapësirën publike dhe në imagjinatën e përditshme të vendit.

Ky është një dallim i rëndësishëm. Një figurë historike bëhet pjesë e kujtesës kolektive jo vetëm kur studiohet, por kur përsëritet në shumë forma: në shkollë, në muze, në monumente, në letërsi, në teatër, në ekran dhe në hapësirën publike. Sa më shumë forma të ketë, aq më shumë breza e takojnë atë figurë dhe aq më e fortë bëhet prania e saj në kujtesën e një shoqërie.

Po Teuta?

Teuta mori pushtetin pas vdekjes së Agronit dhe drejtoi mbretërinë ardiane në një periudhë kur ajo përballej me interesa të fuqishme në Adriatik. Teuta mori pushtetin pas vdekjes së Agronit dhe drejtoi mbretërinë ardiane në një periudhë tensionesh të forta në Adriatik. Konfliktet rreth veprimtarisë ilire në det, interesave romake dhe marrëdhënieve me qytetet greke çuan në përshkallëzimin e marrëdhënieve me Romën, derisa në vitin 229 p.e.s. shpërtheu Lufta e Parë Ilire. Emri i saj u ruajt në burimet antike, veçanërisht te Polibi, dhe më pas kaloi në kronika, historiografi, letërsi, art dhe ikonografi europiane. Pra, Teuta nuk ka mungesë të historisë. Ajo ka edhe një histori të dokumentuar, edhe një histori të gjatë të kujtesës.

Pyetja është se çfarë kemi bërë ne me këtë trashëgimi?

Sa romane, studime, monografi, vepra dramatike, poema, tregime, vepra artistike dhe botime të tjera për Teutën janë krijuar? Sa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të huaja dhe kanë qarkulluar përtej hapësirës shqiptare e ballkanike? Sa filma artistikë, seriale apo dokumentarë të rëndësishëm janë prodhuar për të? Sa statuja monumentale dhe buste janë ngritur në nderim të saj? Sa ekspozita ndërkombëtare, muze apo qendra interpretimi e kanë vendosur figurën e Teutës në një hapësirë të qëndrueshme publike e kulturore? Dhe, mbi të gjitha, sa kemi bërë që Teuta të bëhet pjesë e kujtesës dhe kulturës europiane, përtej kufijve tanë?

Këtu qëndron dallimi: Teuta ka histori, por historia e saj nuk është shndërruar në një prani kulturore me të njëjtën forcë.

Dhe problemi nuk përfundon me Teutën.

Ne kemi një varg figurash të antikitetit dhe të periudhave të hershme të historisë sonë që mund të ishin bërë pjesë e kulturës shqiptare dhe europiane: Bardhyli, Glaukia, Kleiti, Monuni, Longari, Bato, Mytili, Skerdilaidi, por edhe figura të mëvonshme me peshë të jashtëzakonshme historike, si Konstandini i Madh dhe Justiniani. Edhe historia e Kosovës, me figurat dhe trashëgiminë e saj të lashtë, përbën një hapësirë tjetër që mund të trajtohej shumë më fuqishëm në kulturën, letërsinë, kinematografinë dhe kujtesën europiane. Dhe këta janë vetëm disa emra nga një trashëgimi shumë më e gjerë që ende nuk është shndërruar në atë masë në kulturë të gjallë, të përkthyer dhe të pranishme ndërkombëtarisht.

Mjafton të marrim Glaukian. Ai u përball me Aleksandrin e Madh, strehoi Pirron, refuzoi kërkesën e Kasandrit dhe u përball dy herë me të në fushën e luftës. Në përplasjen e dytë e mundi Kasandrin dhe më pas vendosi Pirron në fron. Pra, kemi një figurë të përfshirë drejtpërdrejt në konfliktet politike dhe ushtarake të botës së pas-Aleksandrit, në një kohë kur Kasandri ishte një nga sundimtarët kryesorë të botës së lashtë.

Sa romane, drama, filma, dokumentarë, monumente apo ekspozita kemi krijuar për Glaukian?

Po kështu, Skerdilaidi nuk është thjesht “vëllai i Agronit”. Burimet antike e paraqesin si një strateg të talentuar ushtarak dhe figurë të rëndësishme politike të mbretërisë ardiane, veçanërisht të lidhur me operacionet tokësore. Në luftimet për Foiniken, ai u përball me forcat etole dhe akease dhe arriti t’i mposhtë ato, duke dëshmuar aftësitë e tij si komandant dhe duke forcuar pozitën ushtarake të shtetit ardian. Megjithatë, përtej ndonjë përmendjeje në tekstet e historisë, figura e tij mezi ekziston në kulturën publike shqiptare.

E njëjta gjë mund të thuhet për Bardhylin, Kleitin, Monunin, Longarin, Baton dhe Mytilin. Shpesh ata shfaqen në tekstet shkollore në disa rreshta, me një datë, një ngjarje dhe ndonjëherë një ilustrim. Pastaj heshtje.

Kjo nuk mjafton për të ndërtuar kujtesë kulturore.

Kjo nuk do të thotë se duhet të shpikim madhështi, të zbukurojmë historinë apo të ndërtojmë mite pa bazë. Përkundrazi, sa më e rëndësishme të jetë një figurë, aq më serioz duhet të jetë trajtimi i saj. Duhet studim, burime, botime, përkthime dhe interpretim profesional. Por pas studimit duhet të vijë edhe komunikimi me publikun.

Një figurë si Teuta mund të bëhet roman, dramë, film, serial, dokumentar, ekspozitë, material edukativ apo pjesë e një muzeu modern. E njëjta gjë mund të bëhet me Glaukian, Skerdilaidin, Bardhylin apo figurat e tjera të historisë antike. Kjo është mënyra për ta nxjerrë historinë nga arkivi dhe për ta futur në kulturën e gjallë.

Prandaj pyetja nuk është thjesht: “Pse Boudica është më e famshme se Teuta?”

Pyetja më e drejtë është: “Çfarë kemi bërë ne që Teuta të bëhet e njohur?”

Britania e ka bërë Boudicën të pranishme në hapësirën publike, në letërsi, në skenë, në ekran dhe në imagjinatën turistike. Ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme historike, por shpesh sillemi sikur detyra përfundon pasi një emër vendoset në një tekst shkollor.

Nuk përfundon aty.

Një figurë historike nuk jeton vetëm në arkiv; ajo jeton kur një brez ia tregon brezit tjetër.

Prandaj Teuta duhet të studiohet, të botohet, të përkthehet, të ilustrohet, të interpretohet në teatër, të shfaqet në dokumentarë dhe filma dhe të jetë e pranishme në muzetë dhe hapësirat publike. Por pas Teutës duhet të vijnë edhe të tjerët: Bardhyli, Glaukia, Kleiti, Monuni, Longari, Bato, Mytili, Skerdilaidi.

Sepse çështja nuk është vetëm se sa figura të mëdha kemi pasur.

Çështja është sa prej tyre kemi ditur t’i kthejmë në kujtesë të gjallë.

Dhe këtu qëndron edhe apeli: a do të vazhdojmë t’i mbajmë figurat tona në disa rreshta tekstesh shkollore, apo do të fillojmë t’u japim atyre një prani të vërtetë në kulturën shqiptare dhe europiane?

Historia është ajo që ka ndodhur.

Kujtesa është ajo që ne zgjedhim të mos e lëmë të vdesë.

Një popull që nuk e ruan dhe nuk e tregon historinë e vet, rrezikon që një ditë historia e tij të rrëfehet si histori e të tjerëve.