Ballina Kulturë Tedi Papavrami bëhet pjesë e TIFF

Tedi Papavrami bëhet pjesë e TIFF

43
0

Dokumentari zvicerian “The Bow and the Brush” (“L’Archet et le Pinceau”), me regji të franko-zviceranes Raphaëlle Régnier, pati mbrëmë premierën botërore në edicionin e 24-t të “Tirana International Film Festival” (TIFF).

Filmi sjell një dialog të veçantë mes muzikës perëndimore dhe artit tradicional japonez, përmes violinistit shqiptar Tedi Papavrami dhe mjeshtrit japonez të kaligrafisë Kanshô Miyashita.

Në premierën e zhvilluar në Kinema Millennium ishte i pranishëm edhe vetë Papavrami, së bashku me bashkëshorten e tij, pianisten japoneze Maki Okada.

Gjatë bashkëbisedimit me publikun pas shfaqjes, Papavrami tregoi se lidhja e tij me kulturën japoneze kishte nisur përmes kinemasë, veçanërisht përmes filmave të regjisorit të njohur Akira Kurosawa. Ai kujtoi veçanërisht filmin “Ëndrrat”, që sipas tij i kishte zgjuar një kuriozitet të hershëm për botën japoneze.

Papavrami rrëfeu se, me kalimin e kohës, kjo kureshtje u kthye në një dëshirë për të njohur më nga afër kulturën, disiplinën dhe mënyrën e të menduarit japonez.

“Dukej sikur mundi nuk u kushtonte”, u shpreh ai, duke folur për mënyrën se si e kishte përjetuar këtë kulturë.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua edhe takimit me kaligrafin Kanshô Miyashita dhe ngjashmërive që Papavrami kishte gjetur mes dy disiplinave artistike.

“Ndjeva se kishim shumë gjëra të përafërta me të: preokupime, ekzigjencë, një lloj kokëfortësie për të arritur diçka, pakënaqësinë ndaj vetes, si dhe teknikat në lëvizje”, tregoi ai, duke e lidhur këtë përvojë me disiplinën e violinës.

Kjo marrëdhënie mes dy formave të artit përbën edhe thelbin e dokumentarit. Në një prej momenteve më të veçanta, Miyashita krijon kaligrafi japoneze ndërsa Papavrami interpreton “Chaconne” të Johann Sebastian Bach, duke e kthyer lëvizjen e harkut dhe atë të penelit në një dialog të përbashkët artistik.

Por dokumentari sjell edhe një tjetër shtresë të kulturës japoneze përmes poezisë.