Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një seancë pyetje-përgjigjesh me qytetarët, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në SHBA lidhur me ish-presidentin amerikan Joe Biden dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Sali Berisha: Një paturpësi ekstreme. Joe Biden nuk është më president, por e thashë dhe më parë, në të gjithë karrierën e tij, ai votën dhe qëndrimin e ka pasur në favor të shqiptarëve. Nuk ekziston asnjë dokument në botë që Joe Biden t’i ketë premtuar një njeriu apo një tjetri se do ta mbrojë nga gjykimi dhe drejtësia.
Të shfrytëzosh një vendim të padrejtë të një gjykate për të shpallur ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara tradhtar të Hashim Thaçit, pra njeri të pabesë ndaj këtij individi, do të thotë të jesh i zhveshur nga çdo normë morale. Dhe të kesh një hall aq të madh në këtë çështje, sa je i gatshëm të thuash çdo gjë. Por në fakt, ai që qëndron prapa këtyre proceseve dhe dënimeve është vetë Edi Rama.







