Ballina Europë Protestë masive në Madrid për krizën e emigrantëve në Ceuta, kërkohet dorëheqja...

Protestë masive në Madrid për krizën e emigrantëve në Ceuta, kërkohet dorëheqja e Sanchez dhe zgjedhje të parakohshme

48
0

Mijëra njerëz dolën të shtunën në rrugët e Madridit, në një protestë të organizuar në mbështetje të Ceutës, ndërsa kriza e emigrantëve në këtë qytet autonom spanjoll vijon të mbetet e pazgjidhur. “Marshimi për Dinjitet”, i organizuar nga “Sociedad Civil Espanola” me mbështetjen e Partisë Popullore dhe Vox, nisi nga Plaza de Cibeles dhe u drejtua drejt Moncloa.

Protestuesit kërkuan zgjedhje të përgjithshme dhe kritikuan qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez për mënyrën se si po menaxhon situatën. Në protestë mori pjesë edhe lideri i Vox, Santiago Abascal, i cili kërkoi kthimin në vendet e origjinës të emigrantëve që mbërritën në Ceuta. Ai akuzoi qeverinë spanjolle se po lejon përkeqësimin e krizës.

Situata nisi në fund të korrikut, kur dhjetëra mijëra persona kaluan nga Maroku drejt territorit spanjoll në Afrikën e Veriut. Kjo është protesta e dytë e këtij lloji në Madrid, pasi një marshim i zhvilluar para fluksit masiv mblodhi mijëra persona per te kerkuar dorëheqjen e Sanchez dhe zgjedhje të parakohshme.

Pothuajse dy muaj më vonë, pasojat e fluksit vazhdojnë të jenë të dukshme në Ceuta. Rreth 8,300 emigrantë janë strehuar në ambiente të ngritura, ndërsa më shumë se 4,000 të tjerë vlerësohet se vazhdojnë të jetojnë në rrugë. Maroku e ka akuzuar Spanjën se po pengon kthimin e emigrantëve, ndërsa ministrat e jashtëm të dy vendeve janë takuar së fundmi në Nju-Jork për të diskutuar krizën. Përfaqësuesi maroken ka folur për “pengesa” dhe “mosmarrëveshje” që po e vështirësojnë gjetjen e një zgjidhjeje.

Ndërkohë, autoritetet spanjolle vijojnë operacionet e mbikëqyrjes dhe të strehimit. Tre shtetas marokenë u arrestuan nën dyshimin se kishin mbajtur me forcë dy të mitur emigrantë, ndërsa 63 gra, disa prej tyre me fëmijë të vegjël, u transferuan në qendër për të strehuarit.

Në një tjetër zhvillim, zjarrfikësit zbuluan një vendbanim të improvizuar në tunele nëntokësore, ku dyshohet se qëndronin 30 deri në 50 emigrantë.