Ballina Opinion Profeti i madh i humbur në pasqyrën e shkretëtirës

Profeti i madh i humbur në pasqyrën e shkretëtirës

69
0

Ekziston një lloj i veçantë vetmie që nuk lind nga lartësia e intelektit, por nga humnera e delirit dhe mbrapshtësia e mendjes. Është vetmia absolute e dikujt që ngjitet mbi një dunë të lartë rëre, vesh mantelin e profetit dhe fillon të predikojë kotësinë përpara botës.

Në teatrin e mendjes së tij, profeti i vetëshpallur është zëri i arsyes në një epokë marrëzie universale, një figurë tragjike, pothuajse mitologjike, që po sakrifikohet për të ndriçuar “shkretëtirën e veshëve të shurdhër”.

Por ndërsa fjalët e shpëtimtarit, që kishte ardhur nga viset e largëta të një vendi të vogël për të shpëtuar botën e madhe, kumbonin në sallën e zbrazur, një dilemë e madhe ngrihej si hije.

Cila ishte shkretëtira e vërtetë? Ajo e despotit, që kishte marrë flamurin për të shpëtuar demokracinë, apo boshllëku i predikimit prej sharlatani?

Liberali që vjedh çdo palë zgjedhje, udhëheqësi që shtetin e shndërroi në organizatë kriminale, Mesia me 120 dishepuj në qelitë e burgut, ai që skandalet i ktheu në normalitet, tani po luftonte i vetëm për të shpëtuar botën nga një armik apokaliptik: makinat e keqpërdorura inteligjente.

Jo nga Diella, që mahniti botën me kotësinë e saj. As nga AKSHI, që e mahniti edhe më shumë me perversitetin kriminal. Sepse këto janë krijesat e Profetit.

Kërcënimi real janë algoritmet që shtrëmbërojnë të vërtetën, monopolin e së cilës duhet ta ketë vetëm ai.

Pra, rreziku i madh nuk është ai që parashikonte James Cameron në sagën e famshme Terminator. As ai për të cilin po bërtasin sot mendjet më të mëdha të botës. Kërcënimi real është që algoritmi t’i bindet në mënyrë të përkryer njerëzve të gabuar deri në pikën që popullin injorant ta kthejnë kundër udhëheqësit të ndritur.

A nuk ishte revolucioni i flamingove dëshmia fatale e këtij rreziku?

Megjithatë profeti e kishte gjetur zgjidhjen për të shpëtuar grigjën e tij injorante nga keqpërdorimi i makinave. Tani kishte vendosur që t’ia tregonte edhe botës.

Kjo ishte pasqyra magjike, një tjetër shpikje e madhe e laboratorit të tij, pas Diellës, inceneratorëve të padukshëm, saldatriçes së Ronit, AKSHI-t të Lindës, tuneleve të Belindës, spiunëve të Vlorës…

Pasqyra çudibërese e udhëheqësit të qeverisë më të ndotur tashmë do të shpëtojë edhe botën nga plehu. Ah sikur kjo e fundit të kishte veshë dhe të dëgjonte predikimin e tij në shkretërinë e shurdhër./ Kapitali.al