GJKKO ka lënë në burg sot Bledar Çafin. Çafi u arrestua gjatë ditës së djeshme në Shkodër, teksa akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafik droge.
Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e SPAK, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”. Gjatë këtij aksioni të zhvilluar në disa zona të vendit dje më 26 shtator, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Bledar Cafi, si dhe u ushtruan kontrolle për lokalizimin e Endrit (Indrit) Dokles, i cili u rishpall në kërkim pasi nuk u gjet në banesë.
Kapja e 50-vjeçarit Bledar Cafi u realizua në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në qytetin e Shkodrës. Aksioni u krye në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të datës 25 shtator 2026, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, Bledar Cafi akuzohet për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.







