Ballina Politika Salianji: A u takuan Rama dhe Berisha në aeroport? Kreu i PD...

Salianji: A u takuan Rama dhe Berisha në aeroport? Kreu i PD të tregojë çfarë u bisedua

43
0

Ervin Salianji ka ngritur pikëpyetje mbi praninë në të njëjtën kohë të Edi Ramës dhe Sali Berishës në aeroportin e Rinasit, duke i kërkuar kreut të Partisë Demokratike të bëjë publike nëse është takuar me kryeministrin dhe, nëse po, çfarë është biseduar mes tyre.

Rama dhe Berisha u gjendën këtë të diel në aeroport pothuajse në të njëjtën kohë. Kryeministri sapo ishte kthyer nga vizita në SHBA dhe më pas dha mesazhin e tij publik për zhvillimet e fundit, ndërsa Berisha ndodhej në Rinas për t’u nisur drejt Strasburgut.

Salianji shkon më tej dhe pretendon se nuk është hera e parë që dy kundërshtarët politikë gjenden “rastësisht” në zonën VIP të aeroportit.

“Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport”, shprehet Salianji, duke ngritur një seri pyetjesh për kreun e PD.

“Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike?”, pyet Salianji.

Ai argumenton se prania e njëkohshme e Ramës dhe Berishës në zonën VIP të Rinasit kërkon transparencë, veçanërisht pasi, sipas tij, kjo është hera e dytë që një përkim i tillë ndodh.

Nuk ka deri tani një konfirmim publik se Rama dhe Berisha janë takuar apo kanë zhvilluar një bisedë në aeroport. Raportimet e deritanishme konfirmojnë vetëm praninë e të dyve në Rinas në të njëjtën kohë.

Deklarata e Salianjit vjen në vazhdën e kritikave të tij si ndaj Ramës, ashtu edhe ndaj drejtimit aktual të opozitës. Vetëm dy ditë më parë ai deklaroi se qëndrimi i Berishës në krye të PD është, sipas tij, një “garanci” për vazhdimin e Ramës në pushtet.

Në reagimin e fundit, Salianji kërkon largimin e Ramës përmes protestave qytetare, por njëkohësisht kërkon nga Berisha të sqarojë publikisht çfarë ka ndodhur sot në Rinas.

“Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale”, përfundon Salianji.