Ballina Sport Cristiano Ronaldo shkon në 982 gola në karrierë, vetëm 18 larg rekordit...

Cristiano Ronaldo shkon në 982 gola në karrierë, vetëm 18 larg rekordit historik prej 1.000 golash

34
0

Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror, duke iu afruar gjithnjë e më shumë shifrës së jashtëzakonshme prej 1.000 golash në ndeshjet zyrtare. Ylli portugez shënoi në fitoren 3-1 të Al Nassr ndaj Al Faysaly, duke e çuar në 982 numrin e golave të realizuar gjatë karrierës së tij. Në moshën 41-vjeçare, sulmuesi është tashmë vetëm 18 gola larg një prej arritjeve më të veçanta në historinë e futbollit.

Me golin e fundit, Ronaldo ka regjistruar 836 gola me klubet dhe 146 me kombëtaren e Portugalisë. Në nivel klubesh, ai ka shënuar pesë gola për Sporting Lisbonën, 145 për Manchester Unitedin, 450 për Real Madridin, 101 për Juventusin dhe 135 për Al Nassr. Këtë sezon, portugezi ka realizuar gjashtë gola për skuadrën saudite, pesë në kampionat dhe një në Ligën e Kampionëve të Azisë, duke vijuar të jetë një nga lojtarët kryesorë të ekipit.

Në ndeshjen e fundit, Ronaldo realizoi golin që e çoi Al Nassr në avantazhin 2-0, pas asistimit të bashkëkombësit të tij, Joao Felix. Al Hamdan dhe Angelo shënuan golat e tjerë për skuadrën fituese, ndërsa Bongonda realizoi për Al Faysalyn, në një ndeshje që përfundoi 3-1.

Tashmë, vëmendja është përqendruar te objektivi i madh i Ronaldos, arritja e 1.000 golave zyrtarë. Me 982 gola të regjistruar, çdo ndeshje e ardhshme e yllit portugez mund ta afrojë edhe më shumë momentin që do të shënonte një kapitull të ri në karrierën e tij të jashtëzakonshme.