Ballina Politika “Dikur çdo shqiptar që hynte shënohej si turist!”, Rama: Po investojmë në...

“Dikur çdo shqiptar që hynte shënohej si turist!”, Rama: Po investojmë në turizmin luksoz, marrim më shumë mbrapsht

43
0

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në Samitin e Euronews 2026, ku foli për të ardhmen e turizmit, investimet dhe potencialin e Shqipërisë në këtë sektor.

Rama u ndal te transformimi i turizmit shqiptar ndër vite, duke krahasuar numrin e vizitorëve me periudhën kur nisi procesi që ai e cilësoi si “udhëtim transformues”.

“Kur nisëm këtë udhëtim transformues numëronim 2 milionë turistë. Kjo shifër përfshinte edhe zyrtarët që bënin numërimin, sepse për çdo shqiptar që hynte dhe dilte në vend shënohej, apo ishte pjesë e kësaj shifre”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vitin e kaluar Shqipëria arriti afro 12 milionë vizitorë të huaj, duke vënë në dukje diversitetin e origjinës së tyre.

“Paraardhësi im ishte turist kur u kthye në Shqipëri. Ndërkohë që vitin e kaluar përfunduam me afro 12 milionë të huaj, jo vetëm europianë, por japonezë, amerikanë, australianë, amerikano-latinë, kinezë, vizitorë nga Lindja e Mesme”, u shpreh Rama.

Duke folur për strategjinë e zhvillimit të turizmit, kreu i qeverisë tha se fokusi është te turizmi luksoz, pasi sipas tij, kjo do të mundësonte më shumë të ardhura duke ulur njëkohësisht presionin mbi territorin.

“Po të investojmë në turizmin luksoz, ne ulim trysninë mbi vendin dhe marrim më shumë mbrapsht. Kështu që kjo është arsyeja pse po investojmë për të sjellë investues që sjellin turizëm më luksoz”, deklaroi Rama.

Ai tha gjithashtu se në Shqipëri ka interes nga marka të mëdha ndërkombëtare të sektorit hotelier.

“Kemi tashmë çdo markë hoteliere të interesuar. Në projektin e madh që presim ta çojmë përpara me vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe me projektimin, ka një sërë markash të mëdha që janë gati të vijnë dhe kanë nënshkruar”, tha kryeministri.