Ballina Aktualitet Kushtetuesja rrëzon njëzëri 44 deputetët e PD-së, Endri Shabani mbetet Avokat i...

Kushtetuesja rrëzon njëzëri 44 deputetët e PD-së, Endri Shabani mbetet Avokat i Popullit

33
0

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar njëzëri kërkesën e 44 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtuan zgjedhjen e Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit.

Në seancën plenare të zhvilluar më 29 shtator, mbi bazë dokumentesh, deputetët kërkuan verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit, si dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2025 për zgjedhjen e tij.

Gjykata vlerësoi se një pjesë e pretendimeve të ngritura nga deputetët, përfshirë ato që lidhen me nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës, rregullin “një deputet mbështet vetëm një kandidat” dhe marrëveshjen politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare, nuk ngrenë çështje të nivelit kushtetues.

Sa i përket pretendimit se Shabani nuk plotësonte kriterin kushtetues për të pasur njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe ligjit, Kushtetuesja arriti në përfundimin se në procedurën e ndjekur nga Kuvendi nuk kishte cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet.

Gjykata e konsideroi të pabazuar edhe pretendimin që lidhej me veprimtarinë politike të ushtruar nga Shabani. Sipas saj, veprimtaria politike përbën në parim shkak papajtueshmërie me ushtrimin e funksionit, por në rastin konkret, duke iu referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, pretendimi nuk qëndronte.

Po ashtu, u rrëzua pretendimi për mungesën e mbështetjes së nevojshme të deputetëve në momentin e votimit. Gjykata argumentoi se kushti i mbështetjes nga 28 deputetë ishte plotësuar në fazën e verifikimit të kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve dhe se tërheqja e mbështetjes pas kësaj faze nuk mund të prodhonte pasoja në procedurën e mëtejshme parlamentare.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës së 44 deputetëve. Vendimi i plotë dhe i arsyetuar do të publikohet brenda afateve të parashikuara ligjore.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Në datën 29.09.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi) me objekt verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së tij në detyrë, duke e konstatuar të papajtueshme me Kushtetutën, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 111/2025, datë 11.12.2025 të Kuvendit “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Gjykata, bazuar në objektin e kërkesës, si dhe natyrën e thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, vuri fillimisht në diskutim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Gjykata, bazuar në përmbajtjen e shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, vlerësoi, fillimisht, se Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, sipas kësaj dispozite, për rrjedhojë edhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit dhe verifikimin e zgjedhjes së tij përfshihen në juridiksionin kushtetues.

Po në këndvështrim të vlerësimit të juridiksionit të saj, Gjykata, pasi mori në shqyrtim pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vlerësoi se ato për: i) nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme; ii) mënyrën e zbatimit të rregullit të brendshëm “një deputet mbështet vetëm një kandidat”; iii) interpretimin e nenit 72 të Rregullores të Kuvendit për tërheqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit; iv) ekzistencën e marrëveshjes politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare sipas së cilës Avokati i Popullit duhet të vijë si kandidat i pakicës parlamentare, nuk ngrenë ndonjë çështje të nivelit kushtetues.

Për sa i përket pretendimeve të tjera të kërkuesit për zgjedhshmërinë e Avokatit të Popullit në kuptim të plotësimit të kritereve kushtetuese dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit, si dhe për verifikimin e zgjedhjes së tij, Gjykata vlerësoi se bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues ndaj u ndal në vlerësimin e tyre në themel.

Në lidhje me pretendimin për mosplotësimin e kushtit të zgjedhshmërisë të parashikuar në pikën 2 të nenit 61 të Kushtetutës, sipas të cilit Avokati i Popullit duhet të ketë “njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit”, si dhe hetimin nga Komisioni i Ligjeve në këtë drejtim, Gjykata arriti në përfundimin se Kuvendi në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese gëzon diskrecion me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi mos të ketë arbitraritet. Bazuar në këtë standard, në rastin konkret, në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet.

Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike, parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.

Gjykata gjeti të pabazuar edhe pretendimin tjetër të kërkuesit për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit të tij në seancë plenare.

Gjykata vëren, fillimisht, se kërkesa për mbështetjen (propozimin) e kandidatëve nga 28 deputetë nuk është një rregull i përcaktuar nga normat kushtetuese, por i parashikuar në Ligjin Organik të Avokatit të Popullit dhe në Rregulloren e Kuvendit. Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi. Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.

Në përfundim Gjykata njëzëri vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.