Shqipëria është përfshirë nga media amerikane “Quartz” në listën e 10 destinacioneve më të mira për t’u vizituar gjatë vitit 2026, me vëmendje të veçantë ndaj Rivierës Shqiptare.
Në artikull, Shqipëria vlerësohet për bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe kostot më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera të njohura të Mesdheut. Sipas “Quartz”, vendi mbetet ende më pak i prekur nga turizmi masiv sesa zona si Amalfi, Kroacia apo disa destinacione të Greqisë.
Riviera Shqiptare, që shtrihet nga Vlora drejt Sarandës, veçohet për plazhet, ujërat e kristalta dhe malet pranë bregdetit. Në artikull përmenden veçanërisht Dhërmiu, Himara dhe Ksamili, si zona që ofrojnë peizazhe mesdhetare dhe çmime më të përballueshme.
Media amerikane thekson gjithashtu historinë e Shqipërisë dhe zhvillimin më të vonshëm të industrisë turistike. Sipas artikullit, izolimi i gjatë gjatë regjimit komunist bëri që vendi të mbetet jashtë zhvillimit masiv turistik që përfshiu pjesë të tjera të Mesdheut.
Përveç bregdetit, “Quartz” veçon edhe Gjirokastrën dhe Beratin, dy qytete të Shqipërisë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Gjirokastra përmendet për arkitekturën tradicionale prej guri, pazarin dhe kalanë, ndërsa Berati për shtëpitë karakteristike osmane dhe pamjen e tij përgjatë lumit.
Në listë përfshihet edhe Tirana, e cila sipas artikullit po ndryshon me ritme të shpejta dhe po zhvillohet si një destinacion urban, me arkitekturë, dizajn dhe hapësira të reja.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është kostoja. Sipas “Quartz”, ushqimi, akomodimi dhe makinat me qira në Shqipëri mbeten përgjithësisht më të lira se në disa prej destinacioneve të njohura turistike të Adriatikut gjatë sezonit të verës.
Artikulli vëren gjithashtu rritjen e lidhjeve ajrore me qytetet kryesore evropiane, që e kanë bërë Shqipërinë më të aksesueshme për turistët e huaj.
Sipas medias amerikane, rritja e turizmit dhe investimeve në infrastrukturë mund të ndryshojë gradualisht diferencën e çmimeve me destinacionet e tjera mesdhetare. Shqipëria po vijon ndërkohë procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në listën e “Quartz” për vitin 2026, krahas Shqipërisë, janë përfshirë Uzbekistani, Butani, Kosta Rika, Japonia, Sllovenia, Sri Lanka, Ishujt Faroe, Pulja në Itali dhe Armenia.







