Ballina Opinion Kulla që nuk e ‘prek’ Parkun Rinia, vetëm i hipën sipër

Kulla që nuk e ‘prek’ Parkun Rinia, vetëm i hipën sipër

68
0

Polity & Ideology – Nga Gent Kaprata

Tirana paska ende një problem serioz: ka mbetur një copë park pa kullë. Kishte pemë, bar, shëtitore, stola, njerëz që kalonin, fëmijë që luanin dhe të moshuar që rrinin, pra të gjitha vjetërsirat që zakonisht gjenden në një park. Por nuk kishte hotel, zyra dhe apartamente private 78 metra mbi tokë. Për një kryeqytet që kërkon të na bindë çdo ditë se po hyn në modernitet, ky ishte qartësisht një boshllëk që duhej korrigjuar.

Konkursi “Tirana Fountain Plaza” nxori fitues projektin e studios BIG – Bjarke Ingels Group për zhvillimin e hapësirës ku ndodhet kompleksi “Tajvani”, në Parkun Rinia. Projekti parashikon një ndërtesë rreth 78 metra të lartë, me hotel, zyra dhe apartamente private, të ngritur mbi kolona dhe me nivele nëntokësore parkimi. Vetë qeveria e paraqet si pjesë të “vizionit për Tiranën e vitit 2030”, një hap tjetër drejt një qyteti më modern, më të bukur dhe, sigurisht, më progresist.

Zgjidhja është vërtet moderne. Deri dje mendonim se një ndërtesë zinte hapësirë sipas volumit, përdorimit, flukseve dhe ngarkesës që sillte në qytet. Tani kemi mësuar se, po ta vendosësh mbi kolona, ajo pothuajse pushon së qeni çështje urbane. Poshtë mbetet toka, sipër shtohen mijëra metra katrorë funksionesh private dhe, diku ndërmjet kolonave dhe apartamenteve, prodhohet progresi. Me pak imagjinatë, ky parim mund të zgjidhë edhe të ardhmen e hapësirave të tjera publike të Tiranës: parqet mbeten parqe, sheshet mbeten sheshe, mjafton që kullat t’i vendosim disa metra mbi to.

Problemi, megjithatë, nuk është lartësia e ndërtesës dhe as emri i arkitektit. Një objekt mund të jetë elegant, spektakolar dhe i denjë për revistat më të mira të arkitekturës, por kjo nuk na thotë asgjë për arsyen pse duhet të ndërtohet pikërisht aty dhe me atë intensitet. Arkitektura mund t’i japë një formë shumë të bukur një vendimi të keq urbanistik. Madje, sa më e bukur forma arkitektonike, aq më lehtë harrojmë të pyesim për formën urbane.

Pyetja serioze, pra, nuk është nëse projekti është i bukur. Është se çfarë nevoje të Tiranës zgjidh një hotel i ri, një stok i ri zyrash dhe apartamentesh private pikërisht në Parkun Rinia. Çfarë problemi urban zgjidhet? Çfarë mungese publike plotësohet? Pse kjo pronë duhet të marrë një të drejtë zhvillimi kaq të lartë dhe pse ky volum duhet përqendruar pikërisht këtu? Janë pyetje shumë më të mërzitshme se renderat, por qytetet, për fat të keq, nuk funksionojnë sipas bukurisë së prezantimeve.

Në mungesë të përgjigjeve, kemi krijuar një fjalor të mrekullueshëm. Çdo ndërtesë e re është “ikonike”, çdo ndërhyrje është “transformuese”, çdo shtim volumesh është “zhvillim”, çdo projekt i huaj është “modern”, ndërsa çdo pyetje për vendndodhjen, intensitetin apo ngarkesën urbane rrezikon të shpallet rezistencë ndaj progresit. Kështu moderniteti bëhet fare i thjeshtë për t’u matur: nëse ndërtesa është e lartë, është moderne; nëse ka xham, është edhe më moderne; nëse e projekton një studio ndërkombëtare, bëhet europiane. Nëse renderi ka pemë, biçikleta dhe njerëz të buzëqeshur, atëherë kemi zgjidhur edhe cilësinë urbane të jetesës.

Pastaj vjen argumenti i pronës private. Prona është private, na thuhet, sikur me këtë të kishte përfunduar edhe diskutimi. Vetëm se parcela mund të jetë private, ndërsa qyteti rreth saj nuk është. Parku Rinia, rrugët, infrastruktura, hapësira publike, silueta dhe drita nuk janë private. Dhe, mbi të gjitha, vlera e shtuar e asaj prone nuk është prodhuar vetëm nga pronari.

Një pronë në zemër të Tiranës nuk vlen, aq sa vlen, vetëm sepse ekziston një certifikatë pronësie. Vlera e saj rritet sepse përreth ka park publik, rrugë, sheshe, infrastrukturë, transport, ndriçim, mirëmbajtje dhe investime të vazhdueshme urbane. Një pjesë e rëndësishme e vlerës së saj ekonomike është, pra, vlerë e shtuar nga investimi publik. Sa më i mirë të bëhet Parku Rinia, aq më shumë vlen prona pranë tij. Sa më shumë para publike hidhen në qendër, aq më i madh bëhet potenciali privat për ta kapitalizuar atë vendndodhje.

Kështu krijohet një marrëdhënie vërtet moderne mes publikes dhe privates: publiku paguan parkun, infrastrukturën dhe rikualifikimin; prona private merr vlerë; pastaj kjo vlerë kthehet në apartamente, hotel, zyra dhe çmime më të larta shitjeje. Qytetarit i mbetet privilegji të admirojë renderin dhe të mësojë se, falë parave të tij, qyteti po bëhet gjithnjë e më modern.

Mirëpo, pikërisht këtu hyn planifikimi urban. Jo për të diskutuar nëse pronari ka apo jo të drejtë mbi tokën e vet, por për të përcaktuar sa nga potenciali i asaj toke mund të kthehet në ndërtim, pa cenuar interesin e qytetit, dhe sa nga vlera e shtuar e krijuar edhe nga investimi publik duhet t’i rikthehet publikut. Përndryshe planet, standardet dhe institucionet janë tepër. Mjafton hipoteka dhe çdo pronar mund të tregojë qiellin mbi parcelë e të pyesë deri ku vazhdon prona e tij.

Rasti i Parkut Rinia, në thjeshtësinë e vet, e bën këtë raport pothuajse brutal. Hapësira publike nuk mund të trajtohet si ajo që mbetet pasi kemi maksimizuar të drejtën private të zhvillimit. Një park nuk është vetëm toka që nuk është mbuluar me themele. Është dritë, horizont, gjelbërim, shkallë njerëzore, qetësi dhe raport me qiellin. Mund të mos e betonosh sipërfaqen dhe prapë t’ia ndryshosh krejt karakterin.

Përpara se të na kërkohet të admirojmë projektin, do të ishte shumë më e dobishme të shihnim intensitetin e zhvillimit, ngarkesën mbi infrastrukturën, raportin me parkun, alternativat e shqyrtuara dhe mekanizmin me të cilin qyteti përfiton nga vlera e shtuar që vetë investimi publik ka ndihmuar të krijojë. Këto tregojnë nëse kemi urbanistikë. Renderi tregon vetëm nëse kemi një arkitekt të mirë.

Emri, gjithsesi, është zgjedhur në mënyrë të përkryer: Tirana Fountain Plaza. Tingëllon modern, metropolitan dhe ndërkombëtar. Shumë më mirë sesa përshkrimi banal i asaj që do të kemi realisht: hotel, zyra dhe apartamente private mbi Parkun Rinia, në një pronë vlera e së cilës është shumëfishuar edhe nga investimet publike përreth.

Ndoshta ky është edhe progresi më i madh që kemi bërë. Më parë ndërtonim pallate dhe i quanim pallate. Tani ndërtojmë superstruktura dhe i quajmë vizion, transformim, modernitet dhe bukuri. Publiku investon, prona merr vlerë, zhvilluesi e kapitalizon dhe qytetari fiton të drejtën të admirojë fasadën.

Parkun Rinia, natyrisht, nuk do ta prekim. Do t’i hipim sipër dhe këtë do ta quajmë progres.