Kosova ka qenë shumë pranë një fitoreje të madhe ndaj Austrisë, por në fund është detyruar të kënaqet me një barazim 1-1.
“Dardanët” zhvilluan një pjesë të parë më të kujdesshme, ndërsa pas pushimit u shfaqën shumë më kërkues në sulm.
Kosova gjeti golin e avantazhit në minutën e 70-të me Fisnik Asllanin. Sulmuesi përfitoi nga një aksion fantastik i nisur nga Edon Zhegrova dhe nuk gaboi përballë portierit austriak.
Vetëm pak minuta më vonë, Kosova pati mundësinë e artë për të dyfishuar rezultatin.
Milot Rashica u shfaq në zonë dhe mposhti portierin, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Topi mbërriti te Hoxha, por edhe tentativën e tij e neutralizoi portieri i Austrisë.
Kur dukej se fitorja ishte pranë, Austria gjeti golin e barazimit në minutën e 84-t.
Pas një rivënieje anësore, topi u dërgua në zonë dhe Lang goditi me kokë, duke mposhtur Shaipin.
Ky gol ndryshoi gjithçka dhe i mohoi Kosovës një fitore që do ta afronte me kreun e grupit.
Në minutat e fundit, “Dardanët” nuk arritën të rikthejnë avantazhin.
Ndeshja përfundoi 1-1, me Austrinë që ruan kreun, ndërsa Kosova mbetet pas saj në renditje.
Tashmë, skuadra e Kosovës duhet të kërkojë pikët e plota në sfidat e ardhshme për të vazhduar garën për kreun.
Një mundësi e artë u shpërdorua në Prishtinë, ku fitorja ishte shumë pranë, por një moment pasigurie në prapavijë kushtoi shtrenjtë.







