Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj politikave të qeverisë së Edi Ramës, duke e akuzuar kryeministrin se për 13 vite ka përdorur dënimet dhe burgun si përgjigje ndaj problemeve sociale.
Në postimin e tij në Facebook, Bardhi rendit ndërtimet pa leje, energjinë, punën në të zezë dhe masat gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas Bardhit, Rama po ndryshon qasje vetëm tani që, siç shprehet ai, “burgu po i afrohet”. Kreu i grupit parlamentar të PD-së pretendon se kryeministri ka bërë më herët “ligje me porosi për të tjerët”, ndërsa sot po përgatit një ligj që i përshtatet situatës së tij.
Postimi i plotë:
Në 13 vite Edi Rama kishte “BURGUN” si rrugën e shkurtër të zgjidhjes së çdo problemi social në Shqipëri, që ditën e parë të ardhjes në pushtet.
Burg për ndërtimet pa leje.
Burg për energjinë.
Burg për punën në të zezë.
Burg gjatë COVID-it.
Sa herë ai dështonte të mbante një premtim elektoral, përgjigjja politike ishte e njëjta: më shumë penalizim, më shumë burg.
Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem vetëm kur burgu po i afrohet atij. Pra, deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet.







