Durrësi nis sot zbatimin e sistemit të parkimit me pagesë në rrugët kryesore të qytetit, duke vendosur tarifa të diferencuara sipas zonave. Drejtuesit e automjeteve do të paguajnë 100 lekë në zonën A dhe 40 lekë në zonën B.
Policia Bashkiake Durrës ka njoftuar se, me nisjen e zbatimit të sistemit, punonjësit e saj do të jenë të pranishëm përgjatë rrugëve kryesore dhe pranë zonave të parkimit për të orientuar qytetarët mbi mënyrën e kryerjes së pagesës.
Sipas njoftimit, punonjës të Policisë Bashkiake do të pozicionohen afërsisht çdo 500 metra në rrugët kryesore, pranë hapësirave të përcaktuara për parkim. Ata do t’u shpjegojnë drejtuesve të automjeteve procedurën që duhet të ndjekin për pagesën e parkimit nëpërmjet telefonit celular.
Krahas parkimit me pagesë në rrugët e qytetit, shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë të pranishme 24 orë në tre sheshe parkimi: në sheshin “Jorgji Ziu”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve; në sheshin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”; si dhe në sheshin e parkimit në zonën e Vollgës, pranë Autoritetit Portual Durrës.
Për këto tri sheshe është përcaktuar një mënyrë e veçantë pagese. Pagesa do të mund të kryhet vetëm me kartë bankare dhe nuk do të pranohet pagesa me para në dorë apo forma të tjera pagese. Punonjësit e Policisë Bashkiake do të jenë të pranishëm për të asistuar qytetarët që hasin paqartësi gjatë procesit.
Sistemi i ri e ndan parkimin në dy kategori tarifore. Në zonën A, që përfshin hapësirat me tarifën më të lartë, parkimi kushton 100 lekë, ndërsa në zonën B tarifa është 40 lekë.
Policia Bashkiake u ka kërkuar qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë fazës së zbatimit të sistemit, si dhe respektimin e rregullave të parkimit me pagesë.







