Lionel Messi e ka zhvilluar ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës në “Monumental”, duke i dhënë fund një kapitulli të jashtëzakonshëm që zgjati për 21 vjet.
Përpara rreth 85 mijë tifozëve, “Albiceleste” mposhti Beninin me rezultat 3-0 në një ndeshje miqësore që ishte shumë më tepër sesa një takim futbolli. Ishte nata e lamtumirës së një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit argjentinas.
Messi nuk u largua nga fusha pa lënë gjurmë. Kapiteni dha dy asistime dhe realizoi një gol nga pika e bardhë, ndërsa Nicolas Otamendi dhe Nico Paz shënuan dy golat e tjerë të Argjentinës.
Por rezultati ishte vetëm një pjesë e historisë. Në “Monumental” u përjetua një mbrëmje e mbushur me emocione, lot, kore, drita dhe fishekzjarre, ndërsa tifozët i dhanë lamtumirën ikonës së tyre.
Messi e nisi ceremoninë përpara ndeshjes së bashku me tre djemtë e tij. Në stadium ishte shpalosur edhe një fanellë gjigante me numrin 10 dhe mbishkrimin “Gracias”, në një homazh simbolik për kapitenin që për vite me radhë ka qenë fytyra e kombëtares.
Në tribuna kishte tifozë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe njerëz që kishin udhëtuar mijëra kilometra vetëm për të qenë dëshmitarë të këtij momenti historik.
Për Messin, kjo ndeshje kishte edhe një dimension të veçantë personal. Ishte paraqitja e parë me Argjentinën pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi, në gusht. Emocionet u panë që në minutat e para, ndërsa edhe trajneri Lionel Scaloni nuk i fshehu lotët.
Në pjesën e parë, Messi nuk ishte në versionin e tij më të mirë. Humb një rast të pastër dhe pati disa pasime të pasakta, diçka jo fort e zakonshme për të. Edhe Argjentina e pati të vështirë të gjente ritmin, ndërsa Benini tregoi se nuk kishte udhëtuar drejt Buenos Aires vetëm për të qenë pjesë e ceremonisë.
Skuadra afrikane pati disa mundësi të mira, me Junior Olaitan që iu afrua golit në dy raste. Emiliano Martinez u detyrua të ndërhynte për të mbajtur portën e paprekur.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë.
Messi u shfaq në rolin që tifozët e tij e kanë parë për më shumë se dy dekada. Fillimisht asistoi për Nicolas Otamendin, i cili gjithashtu po përjetonte ndeshjen e fundit me kombëtaren. Më pas erdhi pasimi për Nico Paz, i cili realizoi një gol spektakolar.
Në fund, Messi e vendosi edhe firmën e tij në rezultat, duke shënuar nga penalltia për 3-0. Në mes të këtyre momenteve pati edhe një goditje në shtyllë dhe disa raste të tjera të humbura.
Kjo ishte paraqitja e 208-të e Messit me Argjentinën. Pas 21 vitesh me fanellën e kombëtares, ai e mbyll aventurën me 126 gola dhe 67 asistime, duke vendosur rekorde që flasin vetë për madhështinë e tij.
Historia e Messit me Argjentinën nuk ishte gjithmonë e lehtë. Për vite me radhë ai u përball me kritika dhe zhgënjime, përpara se gjithçka të ndryshonte në vitin 2021 me triumfin në Kupën e Amerikës.
Më pas erdhi kulmi: Kupa e Botës në Katar, trofeu që i mungonte më shumë se çdo tjetër.
Në krah të tij gjatë kësaj periudhe ishte Lionel Scaloni. Dy Lionelët nisën një kapitull të ri në vitin 2018 dhe së bashku e çuan Argjentinën drejt trofeve më të rëndësishme të epokës moderne.
Edhe Benini mori duartrokitjet e veta. Kapiteni Sessi D’Almeida i dhuroi Messit një statujë të vogël të artë, që simbolizon luftëtaret e Dahomeyt, si shenjë respekti për forcën, kurajën dhe disiplinën e kapitenit argjentinas. Bashkë me dhuratën ishte edhe një letër për yllin e “Albiceleste”.
Në fund, “Monumental” u kthye në një skenë lamtumire. Tifozët kënduan, stadiumi u mbush me drita dhe fishekzjarre, ndërsa Messi përshëndeti për herë të fundit publikun argjentinas si lojtar i kombëtares.
Një epokë e jashtëzakonshme mori fund.
Messi u largua mes lotësh, duartrokitjesh dhe një “Gracias” të madhe nga tifozët. Një lamtumirë që nuk ishte vetëm fundi i një karriere ndërkombëtare, por edhe fundi i një historie që për 21 vjet e lidhi në mënyrë të pandashme Lionel Messin me fanellën bardhekaltër.







