Ballina Aktualitet Elezi denoncon kontrollin portual: “Nëse kontrolli fizik është në rregull, pse fotografohet...

Elezi denoncon kontrollin portual: “Nëse kontrolli fizik është në rregull, pse fotografohet leja e hyrjes?”

93
0

Durrës – Një episod i ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në hyrje të Portit të Durrësit ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si administrohen të dhënat personale gjatë kontrolleve të sigurisë.

Analisti dhe publicisti Klevi Elezi denoncon faktin se gjatë kontrollit në hyrje të portit i është fotografuar leja e hyrjes portuale, duke kërkuar transparencë mbi arsyen, qëllimin dhe mënyrën e ruajtjes së këtij informacioni.

“Nëse kontrolli fizik është në rregull, pse fotografohet leja e hyrjes?

Gjatë mëngjesit të sotëm, në hyrje të portit, më është fotografuar leja e hyrjes portuale gjatë kontrollit.

Deri këtu, mund të thuhet se bëhet fjalë për një procedurë sigurie. Por lind një pyetje krejt e ligjshme: përse duhet të fotografohet dokumenti, nëse kontrolli fizik dhe verifikimi i lejes rezultojnë në rregull?

Sipas Ligjit nr. 124/2024 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale duhet të kenë një qëllim dhe bazë ligjore të përcaktuar.

Prandaj pyetja është e thjeshtë: Kush e ruan fotografinë e lejes? Për sa kohë? Kush ka akses tek ajo? Për çfarë qëllimi përdoret dhe mbi çfarë baze ligjore merret?

Siguria në port është e domosdoshme. Por siguria nuk duhet të nënkuptojë mungesë transparence.

Nëse ekziston një procedurë e përcaktuar, le të bëhet publike. Nëse fotografia është pjesë e një sistemi kontrolli, qytetari apo punonjësi ka të drejtë të dijë se çfarë të dhënash të tij po mblidhen dhe pse.

Kontroll po. Siguri po. Por edhe transparencë dhe respekt për privatësinë.”

Elezi kërkon që institucionet përgjegjëse të sqarojnë nëse fotografimi i lejeve të hyrjes është pjesë e një procedure standarde të sigurisë portuale dhe, nëse po, mbi çfarë baze ligjore kryhet dhe si administrohen të dhënat e mbledhura.