Ballina Kronika 14 persona nën hetim në Fier/ Dyshohen se këmbenin valuta pa licencë,...

14 persona nën hetim në Fier/ Dyshohen se këmbenin valuta pa licencë, sekuestrohen mbi 4.4 milionë lekë dhe 92 mijë euro

69
0

Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe gjykata ka caktuar masa sigurimi ndaj 14 personave, të dyshuar se ushtronin veprimtari financiare në fushën e këmbimit valutor pa licencën përkatëse të Bankës së Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 617 të vitit 2026, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, parashikuar nga neni 170/ç i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe përmes metodave speciale të hetimit, autoritetet kanë dokumentuar 14 raste të subjekteve tregtare që dyshohet se ushtronin aktivitet të palicencuar të këmbimit valutor.

Për 11 persona është caktuar masa “Arrest në shtëpi”, ndërsa për tre të tjerë janë vendosur masa të tjera sigurimi. Dy prej tyre janë ndaluar të dalin jashtë shtetit dhe janë detyruar të paraqiten në policinë gjyqësore, ndërsa për personin e tretë është caktuar vetëm “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Gjatë hetimeve janë kontrolluar subjektet tregtare që dyshohet se ushtronin aktivitetin e paligjshëm, si dhe banesat e administratorëve të tyre.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme, konkretisht 4.461.000 lekë, 92.390 euro, 8.215 paund britanikë, 220 franga zvicerane, 30 lira turke dhe 45 dirhamë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe një armë sportive tip pistoletë me zara plastikë, një armë antike tip pistoletë, një mjet i mprehtë antik me këllëf dhe një mjet i mprehtë metalik me bisht druri.

Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të paligjshme, përcaktimin e rolit dhe përgjegjësisë së secilit person nën hetim, si dhe administrimin dhe vlerësimin e provave të mbledhura.

Personat e përfshirë janë nën hetim dhe masat e sigurimit nuk përbëjnë deklarim fajësie.