Aktori i njohur indian Nana Patekar ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare. Ylli i kinemasë indiane u gjet pa ndjenja në banesën e tij në Goa, në orët e para të së enjtes, dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetojë.
Patekar u dërgua me urgjencë në spitalin Manipal, ku mjekët tentuan ta reanimonin për rreth 45 minuta, por pa sukses. Mjeku Shekhar Salkar konfirmoi se aktori kishte pësuar arrest kardiak.
I lindur me emrin Vishwanath Patekar, Nana Patekar e nisi karrierën në teatrin marathi, përpara se të bëhej një prej figurave më të njohura të kinemasë indiane.
Ai bëri debutimin në film në vitin 1978, me filmin Gaman, ndërsa roli që e bëri të njohur gjerësisht ishte ai në filmin Parinda të vitit 1989.
Gjatë karrierës së tij ai luajti në dhjetëra filma, duke spikatur në role dramatike, aksion, por edhe komedi. Ndër filmat më të njohur janë Krantiveer, Ab Tak Chhappan, Raajneeti, Welcome dhe Natsamrat.
Patekar u vlerësua veçanërisht për mënyrën intensive të interpretimit, zërin karakteristik dhe aftësinë për të sjellë në ekran personazhe komplekse.
Gjatë karrierës së tij, aktori fitoi tre National Film Awards, një prej vlerësimeve më të rëndësishme të kinemasë indiane.
Në vitin 2013, ai u nderua gjithashtu me Padma Shri, një prej dekoratave më të larta civile të Indisë, për kontributin e tij në art dhe kinema.
Patekar ishte i angazhuar edhe në çështje sociale. Në vitin 2015, së bashku me aktorin Makarand Anaspure, themeloi Naam Foundation, e cila ofronte ndihmë për fermerët dhe familjet e prekura nga kriza e bujqësisë në Maharashtra.







