Ballina Kulturë 10 libra të famshëm që u shkruan në burg

10 libra të famshëm që u shkruan në burg

26
0

Burgu i heq një shkrimtari pothuajse gjithçka, përveç kohës. Gjatë shekujve, shumë autorë e kanë shfrytëzuar këtë kohë për të shkruar vepra të rëndësishme. Ja 10 libra që kanë nisur pas hekurave, nga një zyrtar romak në pritje të ekzekutimit, te një romancier kenian që shkruante në letër higjienike.

1. Ngushëllimi i filozofisë // Boethius

Image

Boethius kishte një karrierë të suksesshme në Itali, ku u bë një nga zyrtarët më të lartë të oborrit të mbretit ostrogot Teoderik. Por, pasi u akuzua për tradhti dhe magji, u burgos dhe, me gjasë në vitin 524, u ekzekutua.

Gjatë burgimit, shkroi Ngushëllimi i filozofisë, një dialog mes tij dhe një gruaje që personifikon filozofinë. Vepra u përkthye edhe nga Çosieri dhe u bë një tekst i njohur në Mesjetë.

2. Udhëtimet e Marko Polos // Marko Polo

Image

Gjatë luftës mes Venedikut dhe Gjenovës, Marko Polo përfundoi në një burg gjenovez, ku nisi të rrëfente udhëtimet e tij. Rrëfimet u hodhën në letër nga një bashkëburgosur, Rustiçelo da Pisa, në vitin 1298.

Libri u shkrua në frëngjisht, një gjuhë që nuk ishte amtare as për Marko Polon, as për Rustiçelon.

3. Vdekja e Arturit // Tomas Malori

Image

Kjo vepër e shekullit XV rrëfen legjendat e mbretit Artur. Autori, Tomas Malori, ishte burgosur disa herë gjatë viteve 1450.

Në fund të librit, ai u kërkon lexuesve të luten për të, që Zoti t’i japë çlirim. Studiuesit e kanë interpretuar këtë lutje si një kërkesë për t’u liruar nga burgu, megjithëse nuk ka prova të drejtpërdrejta se ai ishte i burgosur gjatë shkrimit të veprës.

4. Don Kishoti // Migel de Servantes

Image

Migel de Servantes u burgos në Sevilje në vitin 1597, pasi një tregtar, të cilit i kishte dorëzuar paratë e mbledhura për mbretin, falimentoi dhe u zhduk. Servantes përfundoi në burg për shkak të mungesës së parave.

Në parathënien e Don Kishotit, ai e përshkruan romanin si një vepër që mund të lindte pikërisht në një burg, ku mblidhen të gjitha vuajtjet dhe tingujt e trishtimit. Kjo konsiderohet një nga dëshmitë më të forta se ideja e romanit, ose të paktën pjesa e parë e tij, lindi pas hekurave.

5. Historia e botës // Uollter Ralei

Image

Uollter Ralei u burgos në Kullën e Londrës në vitin 1603, pasi u dënua për komplot kundër mbretit James I.

Gjatë burgimit, shkroi Historia e botës, një vepër që përfshin periudhën nga krijimi i botës deri në shekullin II para Krishtit. Libri u botua më 1614, por Ralei u ekzekutua në vitin 1618, pasi mbreti riktheu dënimin e mëparshëm me vdekje.

6. Udhëtimi i pelegrinit // Xhon Banian

Image

Xhon Banian u arrestua në vitin 1660, pasi mbajti një predikim fetar jashtë Kishës së Anglisë. Refuzimi për të hequr dorë nga kjo veprimtari e mbajti në burg për 12 vjet.

Gjatë kësaj periudhe shkroi pjesën më të madhe të Udhëtimit të pelegrinit, një nga librat më të njohur të letërsisë fetare, që dikur renditej pas Biblës për nga popullariteti.

7. De Profundis // Oskar Uajld

Image

Oskar Uajld vuajti dy vjet burg me punë të detyruar në Reading Gaol. Gjatë burgimit, shkroi një letër të gjatë drejtuar Lord Alfred Dagllasit, e cila përmbante dhjetëra mijëra fjalë.

Një pjesë e saj u botua në vitin 1905 nga miku i tij Robert Ros me titullin De Profundis. Teksti i plotë u botua vetëm në vitin 1962.

8. Fletoret e burgut // Antonio Gramski

Image

Antonio Gramski, drejtues i Partisë Komuniste Italiane, u arrestua në vitin 1926 nga regjimi fashist i Musolinit.

Prokurori në gjyqin e tij deklaroi se duhej t’i ndalohej trurit të Gramskit të funksiononte për 20 vjet. Por, pavarësisht censurës, Gramski shkroi fletore me analiza të gjera mbi shoqërinë italiane dhe teorinë e hegjemonisë kulturore. Veprat e tij të plota u botuan në vitin 1975.

9. Zoja e luleve // Zhan Xhenet

Image

Zhan Xhenet, i cili kishte qenë hajdut përpara se të bëhej shkrimtar, nisi të shkruante në vitin 1942, gjatë burgimit në Fresnes, Francë.

Romani Zoja e luleve, i botuar më 1943, portretizon botën e nëndheshme të Montmartres dhe tërhoqi vëmendjen e Zhan Koktosë, Zhan-Pol Sartrit dhe Simone de Buvuarit.

Me 1948, pas dënimit të tij të dhjetë për vjedhje, një grup shkrimtarësh ndërhyri te presidenti francez për ta shpëtuar nga dënimi i përjetshëm, duke siguruar faljen e tij paraprakisht.

10. Djalli në kryq // Ngũgĩ wa Thiong’o

Image

Në vitin 1977, shkrimtari kenian Ngũgĩ wa Thiong’o u arrestua pa gjyq, pasi ishte bashkautori dhe ai që vuri në skenë një dramë në gjuhën kikuyu.

Gjatë një viti në burgun e sigurisë së lartë Kamiti, ai shkroi fshehurazi një roman në letër higjienike. Vepra u botua në vitin 1980 me titullin Djalli në kryq. Shkrimtari e përshkroi procesin e të shkruarit si një mënyrë për të mbajtur të bashkuar mendjen dhe zemrën e tij.