Teksa Kuvendi po diskuton projektligjin për Reformën Territoriale, kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, thotë se raporti i ekspertëve të Komisionit e rendit bashkinë që ajo drejton mes njësive vendore me performancën më të mirë në vend dhe se të dhënat nuk e mbështesin shkrirjen e saj me Beratin. Sipas Memajt, nga ky ndryshim përfiton Berati, ndërsa Dimalit i ulet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve.
E ftuar në një emision televiziv, Memaj tha se Bashkia Dimal renditet e 17-ta mes 61 bashkive për Indeksin e Funksionalitetit dhe e dyta mes bashkive të mesme. Sipas saj, edhe treguesit ekonomikë flasin në favor të Dimalit, pasi kostoja për staf për banor është më e ulët se në Bashkinë Berat, ndërsa përqindja e të ardhurave që shkon për investime është dukshëm më e lartë.
“Raporti i ekspertëve të thirrur nga Komisioni i Reformës Territoriale ka folur pro Bashkisë Dimal. Indeksi i Funksionalitetit e rendit Dimalin të 17-in në rangun e 61 bashkive, të dytin në rangun e bashkive të mesme dhe të 26-in në indeksin e performancës ekonomike. Edhe kostoja staf për banor është më e ulët në Dimal se në Berat. Ne e kemi 10 lekë, ndërsa Berati 13 lekë. Në këto kushte nuk ka kuptim ajo që është shkruar në projektligj se strukturat e shkrira do të jenë efikase. Nga kjo shkrirje nuk fitojmë ne, por Berati dhe tek ne ulet efikasiteti. Dimalit i ulet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve. Ne çojmë 38% të të ardhurave për investime, ndërsa Berati vetëm 7%. Shifrat janë kokëforta dhe sërish nuk u morën parasysh”, u shpreh Memaj.
Kryebashkiakja ngriti edhe kritika për mënyrën se si është ndjekur procesi, duke thënë se Bashkia Dimal u njoh me variantin përfundimtar të projektligjit vetëm pasi ai ishte dorëzuar në Kuvend.
“Ne u njohëm me këtë projektligj, me hartën përfundimtare që është çuar në Kuvend, vetëm nëpërmjet televizorit. Ka pasur një proces konsultimi nga ana e komisionit, por dëgjesat lidheshin me ushtrimin e funksioneve. Na ka ardhur e papritur. Ka një nonsens juridik, sepse dëgjesat duhej të bëheshin para momentit të dorëzimit të projektligjit në Kuvend. Edhe mendimi i kryetarëve të bashkive apo këshillave bashkiakë duhej marrë para dorëzimit të projektligjit”, tha ajo.
Në fund, Memaj u shpreh se edhe nëse projektligji miratohet, reforma nuk mund të jetë e suksesshme pa transferimin e kompetencave, funksioneve dhe burimeve financiare te njësitë e reja vendore.
“Kjo reformë e re, nëse votohet sot, pa kaluar kompetencat dhe funksionet bashkë me financat, nuk do të jetë një reformë e suksesshme”, deklaroi kryetarja e Bashkisë Dimal.
Projektligji për Reformën Territoriale, i propozuar nga mazhoranca, parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas draftit, Bashkia Dimal do të shkrihet dhe do t’i bashkohet Bashkisë Berat, ndërsa në të njëjtën njësi vendore do të përfshihet edhe Bashkia Poliçan. Propozimi ka nxitur kundërshtime nga drejtuesit vendorë dhe protesta të banorëve të Dimalit, të cilët kërkojnë që bashkia të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete.







