Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e hyrjes së re veriore të Tiranës, që synon të lidhë autostradat e veriut me Unazën e Madhe, duke anashkaluar qendrën e Kamzës. Fondi limit është 138.6 mln lekë, pa TVSH, ndërsa kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë ofertat deri më 11 nëntor.
Sipas termave të referencës, aksi parashikohet të ketë një gjatësi rreth 17 km. Ai do të nisë në pjesën jugore të nyjes së Rinasit, në lidhje me autostradën Thumanë–Kashar, dhe do të përfundojë në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e Paskuqanit.
Gjurma që do të studiohet kalon në zonat e Valiasit dhe Zallherrit, ndërsa ndërpret rrugën Kamëz – Fushë-Krujë. Përmes kësaj lidhjeje, projekti synon të lehtësojë qarkullimin e automjeteve që vijnë nga veriu drejt kryeqytetit dhe të mundësojë vijimin e udhëtimit drejt autostradës Tiranë – Elbasan dhe Korridorit VIII.
Segmenti do të projektohet si rrugë ndërurbane kryesore. Kompania konsulente duhet të shqyrtojë të paktën dy variante, njëri prej të cilëve duhet të shfrytëzojë rrugë ekzistuese, duke ruajtur parametrat teknikë të kërkuar për aksin e ri. Studimi do të përcaktojë gjurmën përfundimtare, nyjet lidhëse dhe rrugët dytësore që do t’u shërbejnë zonave të banuara.
Dokumentet kërkojnë edhe parashikimin e mbikalimeve për këmbësorët, ndriçimin pranë nyjeve dhe zonave të banuara, si edhe elementet e sigurisë rrugore. Pjesë e projektimit do të jetë identifikimi i pronave që preken, përllogaritja e shpronësimeve dhe e kostos së ndërtimit.







