Ballina Ekonomia BSH bleu 663 milionë euro në 6-mujor, në gusht shifra arriti mbi...

BSH bleu 663 milionë euro në 6-mujor, në gusht shifra arriti mbi 1 mld euro

166
0

Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor gjatë vitit 2026, duke blerë sasi të konsiderueshme eurosh, në kushtet e ofertës së lartë të valutës dhe presioneve për forcimin e monedhës kombëtare.

Vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit, blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë arritën në mbi 524 milionë euro, ndërsa në të gjithë gjashtëmujorin e parë shuma e blerë arriti në rreth 663.6 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se pjesa dërrmuese e ndërhyrjeve është përqendruar në periudhën prill–qershor, kur Banka e Shqipërisë ka blerë afro 79% të totalit të valutës së blerë gjatë gjysmës së parë të vitit.

Sipas raportimit të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë janë zhvilluar nëntë ankande të programuara për blerjen e valutës nga bankat e nivelit të dytë, përmes të cilave janë blerë 143 milionë euro. Katër prej këtyre ankandeve janë zhvilluar me opsionin FORWARD, me afate një dhe tre muaj.

Mesatarja e blerjeve për ankand arriti në 15.9 milionë euro, nga 14.3 milionë euro në tremujorin e parë dhe 13.5 milionë euro gjatë vitit 2025.

Megjithatë, vëllimi i përgjithshëm i blerjeve valutore është shumë më i lartë se shuma e realizuar përmes ankandeve të programuara, çka tregon peshën e konsiderueshme të ndërhyrjeve të tjera të Bankës së Shqipërisë në treg.

Ndërhyrjet kanë si objektiv kryesor rritjen e rezervës valutore, por njëkohësisht ndikojnë në përthithjen e ofertës së lartë të euros dhe në zbutjen e presioneve mbiçmuese ndaj lekut.

Blerja e euros nga Banka e Shqipërisë shoqërohet me injektimin e lekut në treg, duke ndikuar edhe në kushtet e likuiditetit të sistemit bankar.

Ekofin.al ka raportuar të enjten se Banka e Shqipërisë po zhvillon gjatë vitit 2026 një nga ndërhyrjet më të mëdha në historinë e tregut të brendshëm valutor.

Sipas informacioneve të siguruara nga Ekofin.al, deri në fund të gushtit, blerjet e përgjithshme të valutës vlerësohet të kenë arritur në intervalin 1–1.2 miliardë euro, duke përfshirë ankandet e programuara dhe ndërhyrjet e tjera në treg.

Kjo do të thotë se vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, Banka e Shqipërisë mund të ketë blerë edhe rreth 336–536 milionë euro të tjera, krahasuar me totalin zyrtar të gjashtëmujorit të parë.

Megjithatë, këto mbeten vlerësime, pasi të dhënat e plota zyrtare për ndërhyrjet e tremujorit të tretë nuk janë publikuar ende.

Në fillim të vitit 2026, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar zhvillimin e 26 ankandeve për blerjen e valutës, me një objektiv prej 330–450 milionë eurosh gjatë gjithë vitit. Por blerjet e realizuara vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë e kanë tejkaluar ndjeshëm këtë interval, duke përfshirë edhe ndërhyrjet jashtë ankandeve të programuara.

Nëse ritmi i blerjeve do të vazhdojë gjatë muajve të mbetur të vitit, ndërhyrjet valutore mund të arrijnë rreth 1.5 miliardë euro deri në fund të dhjetorit.

Vëllimi i lartë i blerjeve pasqyron një nga zhvillimet më të rëndësishme të tregut valutor shqiptar gjatë vitit 2026, në një periudhë kur oferta e euros ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi kursin e këmbimit.

Për ekonominë shqiptare, zhvillimet e kursit të këmbimit kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për eksportuesit, importuesit, bizneset e turizmit, huamarrësit në valutë dhe familjet që përfitojnë të ardhura nga emigracioni.