Deputeti socialist Vullnet Sinaj vijon të justifikojë votën e tij pro Reformës Territoriale, ndonëse më parë kishte dalë publikisht kundër saj. Këtë herë, arsyeja që jep është se një votë kundër do t’i shërbente Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, priste një përçarje brenda mazhorancës.
Pra, për të mos u bërë qejfin kundërshtarëve politikë, Sinaj zgjodhi të mbështeste një reformë që vetë e kishte kundërshtuar, duke mos mbajtur as fjalën e dhënë për votën kundër. Madje, deputeti socialist e cilësoi këtë një rregull universal, që zbatohet edhe nga partitë e tjera evropiane.
Në intervistën në News24, Sinaj shkoi edhe më tej me shpjegimin e tij. Ai deklaroi se nëse do të ishte deputet i pavarur, mund të kishte votuar kundër reformës.
Shpjegimi i deputetit socialist e përmbledh më së miri mënyrën se si funksionon mendimi ndryshe në PS, mund të jesh kundër, por për të votuar kundër duhet të jesh jashtë partisë.
Kështu, Sinaj ruajti unitetin e PS-së, nuk i dha kënaqësinë opozitës dhe votoi pro reformës. E vetmja gjë që nuk arriti të ruante ishte fjala e tij dhe shkrirjen e bashkisë Selenicë ku mori vota për t’u bërë deputet.







