Ballina Sport ​Lamtumira e Messit me polemika, Benini tregon çfarë ndodhi pas ndeshjes

​Lamtumira e Messit me polemika, Benini tregon çfarë ndodhi pas ndeshjes

126
0

Ndihmëstrajneri i kombëtares së Beninit, Tonde Adelekoun, ka ngritur akuza ndaj përfaqësueses së Argjentinës për mënyrën se si, sipas tij, u trajtuan lojtarët afrikanë pas ndeshjes së fundit të Lionel Messit me fanellën e kampionëve të botës.

Në një reagim publik, Adelekoun shprehu zhgënjimin për atë që e cilësoi si mungesë respekti dhe injorim ndaj futbollistëve të Beninit, të cilët kishin udhëtuar drejt Buenos Airesit për të qenë pjesë e një mbrëmjeje historike për yllin argjentinas.

Sipas tij, delegacioni i Beninit kishte përballuar një udhëtim të gjatë, me rreth 13 orë fluturim nga Parisi drejt Buenos Airesit, pas gjashtë orësh të tjera nga Abidjani në Paris dhe një ndalese gjatë rrugës.

Pavarësisht lodhjes, Adelekoun e përshkroi ndeshjen si historike, por tha se zhgënjimi erdhi pas përfundimit të saj, kur lojtarët e Beninit tentuan të afroheshin me Messin dhe të përshëndeteshin me futbollistët e Argjentinës.

“Ajo që më habiti ishte refuzimi kategorik dhe i qartë nga ana e ekipit të Argjentinës për të pasur ndonjë kontakt me ekipin tim pas ndeshjes”, deklaroi Adelekoun.

Ai pretendoi se përpjekjet e futbollistëve të Beninit për t’iu afruar Messit u penguan nga personeli i sigurisë. Sipas rrëfimit të tij, edhe një grup lojtarësh që ishte formuar për ta duartrokitur yllin argjentinas u shpërnda me shpejtësi.

“Shpejtësia me të cilën burrat e sigurisë shpërndanë grupin e vogël të lojtarëve që ishin formuar ishte mbresëlënëse. Dukej sikur njerëzit e mi ishin një bandë në mes të një trazire”, u shpreh ai.

Adelekoun tha se kjo përvojë ishte veçanërisht zhgënjyese për futbollistët e Beninit, duke pasur parasysh admirimin që Messi gëzon në Afrikë dhe rëndësinë e mundësisë për të qenë pjesë e një momenti të tillë.

Ai përfundoi reagimin duke theksuar rëndësinë e respektit të ndërsjellë në futboll, ndërsa pretendimet e tij për sjelljen e delegacionit argjentinas mbeten rrëfimi i palës së Beninit.