Ndryshe nga reagimi i parë, në një reagim të dytë, Demo kërkon shqyrtimin e çdo pretendimi për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës, duke paralajmëruar se përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave.
“Çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës”, deklaron ministri.
Por reagimi ngre edhe një pyetje politike: a po përpiqet Ervin Demo ta zhvendosë përgjegjësinë për dhunën e sotme te drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe konkretisht te drejtori i përgjithshëm, Skënder Hitaj?
Ministri nuk përmend emra dhe as nuk njofton masa disiplinore konkrete. Megjithatë, insistimi i tij te përgjegjësitë individuale dhe verifikimi i veprimeve të policisë e vendos zinxhirin komandues përballë pyetjeve për mënyrën se si u menaxhua protesta.
Ai dënon sulmet ndaj policëve dhe dëmtimin e pronës, por njëkohësisht kërkon ruajtjen e pamjeve dhe dëshmive që mund të provojnë përdorimin e tepruar të forcës.
Në fund, mbetet për t’u parë nëse paralajmërimi për verifikime do të prodhojë përgjegjësi konkrete, në çfarë niveli të hierarkisë policore dhe nëse përgjegjësia do të ndalet te uniformat apo do të shkojë edhe te ata që dhanë urdhrat.
Për momentin, ministri kërkon llogari nga policia që drejton vetë. Ndërsa Skënder Hitaj, si drejtuesi më i lartë i saj, mbetet përballë pyetjes se kush e urdhëroi dhe kush e drejtoi ndërhyrjen e sotme.







