Ballina Kuriozitete ​Diamanti rozë Grand Condé do të ekspozohet për herë të parë pasi...

​Diamanti rozë Grand Condé do të ekspozohet për herë të parë pasi u vodh 100 vjet më parë

38
0

Një histori e pazakontë vjedhjeje, që duket si skenar filmi, lidhet me diamantin e çmuar “Grand Condé”, i cili u vodh gjatë një grabitjeje në Kështjellën Chantilly në Francë, në tetor të vitit 1926.

Guri i çmuar nëntë karatësh, me formë dardhe dhe ngjyrë rozë, ishte një nga bizhuteritë mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Pas vjedhjes, hajdutët kishin zgjedhur një mënyrë të pazakontë për ta fshehur: e vendosën brenda një molle të zbrazur nga brenda.

Megjithatë, plani i tyre dështoi në mënyrën më të papritur. Diamanti u gjet disa javë më vonë, pasi një shërbyese e uritur në hotelin ku qëndronin hajdutët kafshoi pikërisht mollën ku ishte fshehur guri i çmuar, duke zbuluar kështu sekretin e grabitjes.

Pas gati një shekulli nga kjo ngjarje, “Grand Condé” do të ekspozohet sërish në Musée Condé, në Kështjellën Chantilly, deri më 3 janar.

Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, ka theksuar se, ndonëse historia e mollës mund të tingëllojë e pabesueshme, ajo ishte pasqyruar gjerësisht në gazetat e kohës.

Deldicque nuk pranoi t’i zbulonte CNN-it shumën për të cilën është siguruar diamanti, por bëri të ditur se janë realizuar kërkime të gjera shkencore mbi vetitë e tij, me qëllim që guri të mund të identifikohet në mënyrë unike.

Ekspozita përfshin gjithashtu rezultatet e analizave shkencore, si dhe materiale arkivore të pabotuara më parë, që hedhin dritë mbi historinë e diamantit dhe vjedhjen e tij.

Diamantet rozë natyralë konsiderohen jashtëzakonisht të rrallë dhe mund të arrijnë vlera prej dhjetëra miliona dollarësh. Sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby’s, çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë në ankand për një diamant të tillë ishte 71,2 milionë dollarë, në vitin 2017.

Megjithatë, origjina e saktë e “Grand Condé” mbetet ende e panjohur. Sipas të dhënave të Kështjellës Chantilly, diamanti përmendet për herë të parë në vitin 1740, në inventarin e pasurive të Louis Henri de Bourbon, Princit të Condé.