Ballina Politika Rama shpërthen në fyerje ndaj protestuesve: “Nuk lidhin dot 7 fjalë bashkë,...

Rama shpërthen në fyerje ndaj protestuesve: “Nuk lidhin dot 7 fjalë bashkë, mendojnë se me TikTok do të bëjnë Shqipërinë”

110
0

Kryeministri Edi Rama ka përdorur një gjuhë të ashpër dhe përçmuese ndaj të rinjve protestues, gjatë një takimi me Policinë e Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo.

Në vend të një mesazhi pajtues ndaj të rinjve që prej ditësh kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e tij, Rama zgjodhi t’i sulmojë verbalisht, duke vënë në dyshim aftësinë e tyre për t’u shprehur dhe për të sjellë ndryshim në vend.

Kryeministri ironizoi protestuesit, duke i përshkruar si të rinj që jetojnë në botën e TikTok-ut dhe që, sipas tij, nuk arrijnë të lidhin as shtatë fjalë bashkë.

“Kjo nuk do të thotë që të rinjtë që mendojnë se jeta është TikTok, dhe me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë do të bëjnë Shqipërinë. Adhurojnë molotovin dhe rrëmujën e kaosin e iu turren dyqaneve. Kjo masë ka nevojë për psikolog e për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash e djem që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën e kanë keqkuptimet e mëdha. Përdoren nga shërbime të huaja dhe dashakeqës ndaj Shqipërisë. Rusia nuk është aleate dhe partnere e Shqipërisë, nuk na do stabël dhe me ekonomi e në BE. Policia ka qenë në maksimumin e vetëpërmbajtjes. E dini pse shkojnë te Ministria e Arsimit, por se duan të fusin në kokën e gjithsecilit që po bëhet për arsimin. Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin dhe rrinë pas atyre që hedhin gurë dhe i duartrokasin kur digjet polici,” tha Rama.

Por sulmet e kryeministrit nuk u ndalën me kaq. Ai i cilësoi të rinjtë e përfshirë në aktet e dhunës si pengje të një ideologjie shkatërruese, duke pretenduar se pas veprimeve të tyre qëndron frymëzimi nga një forcë e errët që është shfaqur në Europë.

“Të rinjtë e kësaj nuk duan paqe, por përmbysje. Janë të rinj të idealizuar nën frymëzimin e asaj force të errët e të re që është shfaqur në Europë, që Trump e ka shpallur organizatë terroriste”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, këta të rinj janë ndikuar nga një ideologji që synon rrënimin e gjithçkaje.

“Janë pengje të një fryme dhe ideologjie të re që ka vetëm një mision: Shkatërro, rrëno gjithçka, bëje rrafsh sepse do ta nisim nga e para”, tha kryeministri.

Gjatë takimit, Rama u shfaq edhe me një gur në dorë, për të ilustruar rrezikun që, sipas tij, u kanoset efektivëve të policisë gjatë përplasjeve me protestuesit. Ai theksoi se shteti nuk mund të negociojë me ata që përdorin dhunën.

Deklaratat e ashpra të kryeministrit vijnë në një moment kur protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë hyrë në javën e dytë, mes tensioneve, arrestimeve dhe përplasjeve të vazhdueshme me policinë.