Nga Ilir Çumani
Kot lodhesh të imitosh të tjerët. Kot përpiqesh të kopjosh gjeste, të përsërisësh skenarë dhe të shfaqesh sikur ende e ke situatën nën kontroll.
Koha kur mund të fshiheshe pas fasadave, propagandës dhe njerëzve që të rrethonin ka mbaruar. Je i mbaruar gjithashtu edhe politikisht dhe asgjë nuk mund ta fshehë më këtë të vërtetë.
Nuk të mbron dot më askush. As ata që deri dje të qëndronin pranë për interesat e tyre, as ata që i ke joshur me pushtet, as ata që i ke blerë me privilegje.
Mbrojtjet që ke ngritur rreth vetes, po shemben njëra pas tjetrës. Milionat që ke derdhur për të blerë heshtjen, besnikërinë dhe sigurinë tënde mund të rezultojnë para të hedhura dëm.
Ka një kufi përtej të cilit as paratë, as frika dhe as pushteti nuk mund ta mbajnë më në këmbë një njeri që ka humbur besimin e popullit të vet.
Mund të përpiqesh të blesh kohë, të manipulosh të vërtetën dhe të mbështetesh te njerëz që sot të betohen për besnikëri. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë.
Pushteti mund të të japë përkohësisht forcën për të imponuar vullnetin tënd, por asedi s’të jep të drejtën për të poshtëruar një popull, për të nëpërkëmbur dinjitetin e tij dhe për të shpërfillur vuajtjet e bijve të kësaj toke.
Një popull mund të durojë gjatë, por nuk mund të nënshtrohet përgjithmonë. Kur durimi kthehet në revoltë, kur frika ia lë vendin guximit dhe kur njerëzit vendosin se nuk kanë më asgjë për të humbur, asnjë mur mbrojtjeje nuk është aq i lartë sa të të shpëtojë.
As Zoti nuk mund të të mbrojë nga gjykimi i ndërgjegjes sate dhe nga pesha e përgjegjësisë për gjakun, dhimbjen dhe lotët e kësaj toke, sepse ka plagë që nuk mbyllen me propagandë, padrejtësi që nuk fshihen me para dhe vuajtje që nuk harrohen me urdhra.
Mund t’u shmangesh njerëzve, mund t’u ikësh përgjegjësive, mund të përpiqesh të shpëtosh nga drejtësia e kësaj bote, por nuk mund t’i ikësh përgjithmonë së vërtetës dhe gjykimit të historisë.
Mjerë ti për shpirtin tënd katran dhe ligësinë qe ta ka pushtuar gjithë qenien tënde!
Pushteti kalon, paratë mbarojnë, oborrtarët të braktisin dhe lavdet e rreme shuhen. Ajo që mbetet është gjurma që ke lënë në jetën e njerëzve, dhimbja e pamatë që u ke shkaktuar, që nga foshnjat ende në barkun e nënës, te fëmijët dhe të rinjtë, te nënat e baballarët, te gjyshet dhe gjyshërit.
Në fund, kur pushteti të jetë vetëm një kujtim, paratë të mos të vlejnë më dhe askush të mos jetë pranë për të të duartrokitur, do të mbetet vetëm gjykimi i historisë. Dhe historia nuk të kujton për lavdet që ke blerë, por për plagët që ke lënë pas, për jetët që ke prekur dhe për dhimbjen që ke shkaktuar.
Atëherë, kur të mos të mbetet më as pushteti për t’u mbrojtur, as paraja për të blerë heshtjen dhe as njerëz për të të duartrokitur, do të përballesh me të vetmen gjë që nuk mund ta kontrollosh: të vërtetën e asaj që ke bërë.
KARMA është aty, përtej frëngjisë së bunkerit tënd, ku ti, i pushtuar nga ethet e një makthi paranojak, ke strukur trupin dhe shpirtin tënd të mpirë, pa nerv e pa gjak!
Prandaj, ik, që Shqipëria të marrë frymë e lirë! Që kjo tokë arbërore të çlirohet nga makthi yt, kudo ku rreh zemra shqiptare, këtej e andej kufirit!
Shqipëria nuk ka lindur me ty, nuk fillon me ty dhe as nuk mbaron me ty. Ajo është shumë më e madhe se pushteti yt, më e vjetër se ambiciet e tua dhe do të jetojë gjatë pasi emri yt të jetë bërë pjesë e historisë.
Ti nuk je Shqipëria!
Shqipëria nuk të përket ty, sepse nuk je as hija e saj, aq më pak pronari i fatit të saj. Në gjithë këtë rrugëtim tëndin të gjatë në pushtet, Shqipërisë më shumë i ke marrë sesa i ke dhënë.
Shqipëria u përket shqiptarëve të vërtetë, atyre që e duan këtë vend jo si pronë personale, jo si plaçkë pushteti, por si atdhe të përbashkët.
Ajo u përket shqiptarëve kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë kufijve, të gjithë atyre që ende besojnë se ky vend meriton një të ardhme më të mirë.
Ik bashkë me frymën tënde sunduese, me tipologjinë tënde pushtuese sadomazokiste dhe me atë kulturë politike që, për kaq gjatë, ke ushqyer e injektuar në çdo qelizë të jetës publike shqiptare!
Mjaft me përçarjen, me tensionin e përhershëm, me përplasjet e nxitura dhe me klimën e konfliktit që po e çon vendin drejt një konflikti të rrezikshëm civil, së bashku me të ngjashmit e tu.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje, as për më shumë propagandë, por për qetësi, dinjitet, drejtësi dhe një horizont të ri shprese.
Ka nevojë të çlirohet nga një pushtet që kërkon të paraqitet si i pazëvendësueshëm, sikur pa të vendi nuk mund të jetojë e të ecë përpara.
Dhe mbaje mend mirë: me ikjen tënde, bashkë me gjithë aradhën tënde, me Ballukërat, Zeqinerat, Sarat & Co., Shqipëria nuk do të humbasë; përkundrazi, do të ketë mundësinë të ringrihet më e fortë, më e bukur, më dinjitoze, do të marrë frymë më lirshëm dhe do ta mbajë kokën shumë më lart seç ti mendon.
Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Asnjë njeri nuk është më i madh se vendi i tij.
Asnjë ekran televiziv, sado të përdoret për propagandë, nuk mund ta shpëlajë pafundësisht mendjen e njerëzve, as ta fshehë të vërtetën pas fjalimeve të stërholluara e spektakleve politike.
Mjaft me iluzionet, me manipulimin dhe me përpjekjet për ta zgjatur edhe më tej një sundim të gjatë e të turpshëm!
IK!
Jo sepse Shqipëria mbaron me ty, por sepse Shqipëria duhet të vazhdojë pa ty.
Shqipëria është më e madhe se çdo pushtetar, më e lashtë se çdo pushtet dhe shumë më jetëgjatë se çdo ambicie personale.
Shqipëria duhet të marrë frymë. Dhe koha për një kapitull të ri, sapo ka ardhur….







