Një gjykatë në Kenia ka nisur shpalljen e vendimit për predikuesin Paul Mackenzie dhe 29 ndjekësit e tij, të akuzuar për vrasjen e 191 personave, të gjithë fëmijë, përveç njërit.
Sipas akuzës, Mackenzie dhe grupi i tij fetar i detyronin fëmijët të vdisnin nga uria, me pretendimin se kështu do të “takonin Jezusin”. Doktrina e tij ndalonte arsimimin dhe e konsideronte mjekësinë moderne si të keqe. Mackenzie dhe 29 të akuzuarit e tjerë i kanë mohuar akuzat, duke këmbëngulur se askush nuk ishte detyruar të vdiste.
Ish-shefi i sigurisë së Mackenzie, Enos Amanya Ngala, ishte fillimisht mes të akuzuarve, por më pas arriti një marrëveshje me prokurorinë dhe u bë dëshmitar i saj.
Predikuesi dhe drejtues të tjerë të grupit përballen edhe me procese të tjera gjyqësore për terrorizëm, radikalizim dhe mohimin e së drejtës së fëmijëve për arsimim. Megjithatë, ky është procesi i parë në të cilin Mackenzie përballet me një vendim për akuzat më të rënda, ato të vrasjes.
Autoritetet keniane kanë bërë të ditur se në pyllin Shakahola, pranë bregdetit të vendit, ku Mackenzie kishte mbledhur ndjekës nga zona të ndryshme të Kenias, janë gjetur më shumë se 400 trupa në varre të cekëta.
Për zhvarrosjen e trupave u punësuan 17 persona nga një qytet aty pranë, disa prej të cilëve paguheshin vetëm 8 dollarë në ditë. Njëri prej tyre i tha BBC-së se çdo varr përmbante të paktën tre trupa, ndërsa mes viktimave kishte edhe foshnja vetëm disa javëshe.
Ai tregoi se në një varr kishin gjetur 12 trupa fëmijësh të vendosur në rresht, njëri mbi tjetrin. Sipas dëshmive të punëtorëve, disa prej fëmijëve i kishin duart dhe këmbët të lidhura, ndërsa trupat ishin mbështjellë me çarçafë.







