Ballina Bota ​Blerës misterioz porosit version të veçantë të F-35, Pentagoni e mban të...

​Blerës misterioz porosit version të veçantë të F-35, Pentagoni e mban të fshehtë

39
0

Një blerës i huaj, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, do t’i paguajë kompanisë amerikane “Lockheed Martin” 18,8 milionë dollarë për zhvillimin e një versioni të personalizuar të avionit luftarak F-35.

Më 15 tetor, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së njoftoi se bëhet fjalë për vazhdimin e një projekti që synon zhvillimin dhe integrimin e një varianti të këtij avioni luftarak, të përshtatur sipas kërkesave specifike të klientit, raporton Defence Blog.

Në njoftimin ditor të Pentagonit mbi kontratat, thuhet se një amendament në një kontratë ekzistuese me “Lockheed Martin Aeronautics”, me seli në Fort Worth, Teksas, zgjeron fushëveprimin e punës. Kjo përfshin zhvillimin, demonstrimin dhe integrimin e sistemeve për një variant të F-35, të destinuar për një klient të paemërtuar, në kuadër të programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja.

Blerësi mbulon koston e plotë prej 18,8 milionë dollarësh, me fonde që alokohen në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes. Programi FMS shërben si kanali zyrtar amerikan për shitjen e armatimeve drejt vendeve të tjera.

Pentagoni, në raste të caktuara, nuk e përmend emrin e blerësit në njoftimet e tij, nëse identiteti i këtij të fundit konsiderohet si informacion i ndjeshëm.

Përafërsisht 80 për qind e punës do të kryhet në Fort Worth, ku ndodhet edhe qendra e prodhimit të F-35 të “Lockheed”-it, ndërsa 20 për qind e mbetur do të shpërndahet në lokacione të tjera brenda Shteteve të Bashkuara.

Puna pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2030. Kontrata është dhënë pa tender konkurrues nga Komanda e Sistemeve Ajrore Detare në Patuxent River, e cila menaxhon kontratat për programin F-35.

Avioni F-35 prodhohet në tri versione kryesore: F-35A (për ngritje dhe ulje konvencionale), F-35B (për ngritje të shkurtër dhe ulje vertikale) dhe F-35C (për operim nga aeroplanmbajtëset).

Lockheed ka dorëzuar avionë për më shumë se dhjetë forca ajrore të huaja; disa klientë integrojnë armatimet, pajisjet e komunikimit ose sistemet e luftës elektronike të prodhimit të tyre në avionët që marrin. Shembulli më i njohur i një përshtatjeje të tillë është F-35I Adir i Izraelit, i cili përdor sisteme të prodhuara në Izrael mbi platformën bazë të F-35A.