Ballina Lifestyle Johnny Depp rikthehet në Hollywood pas vitesh polemikash, a do të jetë...

Johnny Depp rikthehet në Hollywood pas vitesh polemikash, a do të jetë sërish Kapiten Jack Sparrow?

54
0

Johnny Depp po përjeton një rikthim në Hollywood, tetë vite pasi Disney ndërpreu bashkëpunimin me të pas polemikave që pasuan ndarjen nga aktorja Amber Heard.

Sipas Daily Mail, aktori është sërish në qendër të vëmendjes së studiove të mëdha dhe mund të rikthehet në rolin e famshëm të Kapiten Jack Sparrow në një film të ri të sagës Pirates of the Caribbean.

Në vitin 2018, Depp ishte në negociata për të vijuar rolin e tij në sagën e njohur, por zhvillimet që pasuan ndarjen nga Heard dhe akuzat për dhunë në familje ndikuan në karrierën e tij, shkruan DailyMail.

Sipas raportimit, menaxheri i aktorit kishte deklaruar se ai humbi mundësinë për të fituar rreth 22.5 milionë dollarë nga një marrëveshje e parealizuar me Disney-n.

Për një kohë të gjatë, Depp u distancua nga ideja për të punuar sërish me studion. Megjithatë, producenti Jerry Bruckheimer ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime me aktorin për filmin e ardhshëm të Pirates of the Caribbean.

Skenari është ende në përpunim dhe projekti nuk ka marrë ende miratimin përfundimtar, ndërsa xhirimet mund të nisin në vitin 2027. Sipas raportimit, roli i tij mund të jetë më i kufizuar krahasuar me filmat e mëparshëm.

Paralelisht, Depp është përfshirë në projekte të tjera të mëdha. Ai do të interpretojë personazhin e Ebenezer Scrooge në filmin Ebenezer, një përshtatje e historisë së Charles Dickens, si dhe do të luajë në thrillerin Day Drinker, prodhim i Lionsgate.

Rikthimi i aktorit vjen pas një periudhe të gjatë polemikash publike dhe betejash ligjore me ish-bashkëshorten. Gjatë gjyqeve u publikuan edhe mesazhe private të Depp-it që shkaktuan reagime të forta.

Megjithatë, ai ka vazhduar të mbajë një bazë të madhe fansash dhe këtë verë performoi me grupin muzikor Hollywood Vampires, duke tërhequr turma në disa vende evropiane.