Kryeministri Edi Rama sulmoi të rinjtë protestues, mes të tjerash, me argumentin e injorancës. “Kjo nuk do të thotë që të rinjtë që mendojnë se jeta është TikTok, dhe me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë do të bëjnë Shqipërinë. Janë pengje të një fryme dhe ideologjie të re që ka vetëm një mision: Shkatërro, rrëno gjithçka, bëje rrafsh sepse do ta nisim nga e para,” deklaroi Rama.
Por kryeministri ka probleme të theksuara me injorancën në oborrin e tij. Kjo më poshtë është fotoja e projektvendimit të përgatitur nga ministria e Brendshme për shpërblimin e policëve që po rrahin barbarisht protestuesit për të mbrojtur karriget e qeverisë.

Projektvendimi i MB
Siç duket qartë në foto, projektvendimi parashikon dhënien e shpërblimit financiar për 2750 punonjës policie, në masën 228 mijë e 750 lekë secilit. Kjo sipas vendimit kërkon një fond total prej 740 milionë e 80 mijë lekësh.
Tek ministria e Ervin Demos e kanë kthyer tabelën e shumëzimit përmbys. 2750 policë shumëzim për 228 mijë e 750 lekë secili bëjnë 629 milionë lekë dhe jo 740 milionë sa e llogarit ministria e Brendshme.
Ky lëmsh shkoi në qeveri. Pasi dikush në kabinet e kuptoi se shifrat ishin lëmsh, qeveria e zgjidhi thjesht. Rriti masën e shpërblimit për secilin polic për të shkuar tek fondi 740 milionë lekë.

Vendimi i miratuar ne qeveri
Si rrjedhojë shpenzimi për punonjës policie u rrit nga 228 mijë e 750 lekë që ishte propozuar nga MB, i cili me kursin aktual i korrenspondonte shifrës 2500 euro, në 269 mijë e 120 lekë për policë.
Kjo e nxjerr efektin total 740 milionë e 80 mijë lekë. Pra, me ndryshimet në qeveri, shpërblimi nuk u miratua 2500 euro për polic, por u rrit në mbi 2950 euro për polic me kursin aktual.
Duhet guxim i madh të akuzosh rininë për injorancë, kur vetë qeveria ka mangësi në njohuri bazike dhe nuk di të bëjë as shumëzim/pjestimet e thjeshta. Megjithatë kryeministri thotë se kjo është administrata e ndritur që do të çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian./kapital







