Cristiano Ronaldo po kryeson me diferencë të madhe votimin global për “Topin e Artë të të gjitha kohërave” (BOAT), duke lënë pas Lionel Messin dhe legjenda të tjera të futbollit botëror.
Sipas mediumit portugez “A Bola”, mbi 60 për qind e votuesve kanë përzgjedhur sezonin 2007/08 të Ronaldos me Manchester Unitedin si më të mirin në historinë e futbollit.
Kjo iniciativë e organizatës “France Football”, e cila organizon ndarjen e çmimit “Topi i Artë”, u jep tifozëve mundësinë të zgjedhin sezonin më të mirë të futbollistëve që e kanë fituar këtë trofe të paktën dy herë.
Në sezonin 2007/08, Ronaldo shkëlqeu me fanellën e Manchester Unitedit, duke fituar Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa në fund u shpërblye edhe me Topin e Artë, çmimi i parë i këtij lloji në karrierën e tij.
Në garën e votimit janë edhe Lionel Messi, Ronaldo Nazário, Zinedine Zidane, Marco van Basten dhe Johan Cruyff, emra që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e futbollit.
Megjithatë, kjo renditje pasqyron preferencat e tifozëve dhe nuk ndikon në numrin zyrtar të çmimeve të fituara. Messi ka tetë Topa të Artë, ndërsa Ronaldo pesë.
Për të marrë pjesë në votim, tifozët duhet të paguajnë një euro. Në këmbim, ata përfitojnë një fotografi ikonike dhe mundësinë për të fituar dy bileta për ceremoninë e Topit të Artë 2026.







