Ballina Europë Policia heq tendat e protestuesve në Portugali, vazhdon pakënaqësia qytetare

Policia heq tendat e protestuesve në Portugali, vazhdon pakënaqësia qytetare

40
0

Policia heq tendat e protestuesve në Portugali, vazhdon pakënaqësia qytetare

Autoritetet në Portugali kanë prangosur 55 persona në Lisbonë dhe Porto, si dhe kanë sekuestruar tendat e vendosura nga protestuesit.

Qytetarët në Portugali po protestojnë kundër rritjes së lartë të kostove të strehimit, duke u solidarizuar me lëvizje të ngjashme në Spanjën fqinje, ku prej javësh janë ngritur tenda në qendër të Madridit.

Protestuesit akuzojnë qeverinë se nuk po ndërmerr asnjë masë për të zgjidhur krizën e strehimit në Portugali dhe se po përpiqet të miratojë reforma në tregun e qirave që do ta bëjnë më të lehtë dëbimin e qiramarrësve nga banesat.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, furgonë të policisë mbërritën në sheshet “Rossio” dhe “Praça D. João I”, duke u dhënë demonstruesve pesë deri në dhjetë minuta kohë për t’i dhënë fund protestës.

Policia deklaroi se tubimet nuk ishin më të ligjshme, derisa në kryeqytet pati rezistencë ndaj urdhrit për shpërndarje, ku protestuesit krijuan një zinxhir njerëzor.

Madje, ndaj oficerëve të Policisë së Sigurisë Publike u hodhën objekte të ndryshme, ndërsa policia u përgjigj duke përdorur shkopinj gome, raporton Euronews.

Më pas, njësitë policore kanë larguar të gjithë protestuesit nga sheshi “Rossio”.

Një pjesë e protestuesve u zhvendosën në sheshin “Praça da Figueira”, ku vazhduan të shprehnin zemërimin e tyre ndaj veprimit të policisë, duke kërkuar kthimin e sendeve të tyre dhe lirimin e personave të ndaluar.

Si kundërpërgjigje, policia ka filluar vendosjen e barrierave metalike për të bllokuar hyrjen në shesh.

Tani që sheshet në Lisbonë dhe Porto janë boshatisur, kanë nisur operacionet e pastrimit.

Ndërkohë, është planifikuar një protestë e re në sheshin Rossio në Lisbonë, e cila do të nisë të martën në orën 19:00, sipas orës lokale.