Selena Gomez ka folur hapur për arsyen që, sipas saj, i ka ndryshuar zërin në mënyrë të përhershme. Pas spekulimeve të vazhdueshme për ndryshimin e zërit të saj, këngëtarja 34-vjeçare ka pranuar se një zakon i dëmshëm ka luajtur rol në këtë ndryshim: përdorimi i cigareve elektronike me nikotinë.
“Nuk do të mund ta ndryshoj zërin tim. Kam pirë shumë cigare elektronike me nikotinë”, tha ajo në një video të publikuar në historitë e llogarisë së saj në Instagram më 18 tetor.
“Nikotina është shumë e vështirë për t’u lënë dhe mendoj se thjesht doja të thoja se, nëse po kaloni të njëjtën gjë ose po mendoni të përdorni cigare elektronike, nuk ia vlen. Ma ndryshoi zërin. Kështu që, nëse nuk ju pëlqen ta dëgjoni zërin tim, e kuptoj plotësisht. Nuk më shqetëson. Thjesht mos më dëgjoni”, u shpreh këngëtarja.
Më pas, Gomez zbuloi se e ka lënë këtë zakon. “Jam vërtet e emocionuar, sepse e kam ndërprerë dhe shpresoj që të vazhdoj kështu”, tha ajo, duke shtuar se edhe të tjerët mund t’ia dalin nëse po përpiqen të kapërcejnë një vështirësi të ngjashme.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja u përgjigjet pyetjeve për ndryshimin e zërit. Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Instagram, në dhjetor 2025, ajo foli për këtë çështje, por nuk përmendi përdorimin e cigareve elektronike.
“Po, më është bërë kjo pyetje disa herë. Për zërin. Ndonjëherë, kur jam duke… Jo, lëre fare”, tha ajo, duke e ndërprerë veten. “Nuk ka justifikim. Nuk më intereson shumë.”
“Mendoj se ajo që dua të them është se ndonjëherë ndodhin gjëra. Ndonjëherë më enjtet fyti nga brenda. Kaq”, shtoi këngëtarja.
Megjithatë, përdorimi i cigareve elektronike nuk është i vetmi faktor shëndetësor që mund të lidhet me ndryshimet e zërit të saj. Sipas BBC-së, Selena Gomez vuan nga lupusi, një sëmundje që mund të shkaktojë inflamacion të laringut dhe, si rrjedhojë, të ndikojë te zëri.
Në një intervistë për emisionin “Today”, në vitin 2017, Gomez tregoi se nuk i kishte dhënë gjithmonë vetes kohën e nevojshme për t’u rikuperuar pas përkeqësimit të simptomave të lupusit.
“Kam pasur temperaturë, dhimbje koke dhe lodhje, por vazhdoja gjithmonë përpara. Për të qenë e sinqertë, e shpërfilla gjendjen time. Nuk mendoj se mora vendimet e duhura, sepse nuk e pranova atë që po ndodhte. Ishte një sjellje egoiste dhe, në të njëjtën kohë, krejt e panevojshme. Nuk jam krenare për këtë”, u shpreh ajo.







