Ballina Sport Bayern rrezikon të jetë pa Kompany në stol

Bayern rrezikon të jetë pa Kompany në stol

57
0

Ndihmës-trajneri i Bayern Munich, Aaron Danks, ka dhënë sot një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të Vincent Kompany, pak orë para përballjes me Arsenal në Champions League. Ai shprehet se nuk e di nëse trajneri belg do të jetë në stol në ndeshjen e sotme.

Belgu, i cili mungoi në stërvitje dhe në konferencën për shtyp të martën për shkak të sëmundjes, është prekur nga një virus që i ka prekur këmbët. “Është e vështirë të thuhet. Virusi i ka prekur këmbët në momente të caktuara dhe ai ka ndjerë dhimbje aty”, tha Danks.

“Është thjesht një virus. Mjekët dhe ekspertët dinë shumë më tepër se unë. Gjëja më e rëndësishme është që ai të pushojë dhe të marrë kohën që i nevojitet, pavarësisht se sa kohë mund të duhet. Nuk mund të them më shumë, qoftë për nesër apo për pas dy-tri ditësh“, tha ai.

Danks, i cili më parë ka punuar te Anderlecht, Aston Villa dhe Middlesbrough, konfirmoi se Kompany do të jetë i përfshirë në njëfarë mënyre, qoftë edhe përmes telefonit nga shtëpia. “Të bindësh Vincent të pushojë është një sfidë e vështirë, megjithatë, jemi në komunikim të vazhdueshëm”, tha Danks.

Më tej, ai shtoi: “Diskutuam për stërvitjen e fundit, llojin e punës, mbledhjet dhe gjëra të tilla. Pra, jam në dialog të vazhdueshëm me të. Ai do ta luajë rolin e tij, do të japë kontributin e tij në ndeshje. Qoftë në ‘Allianz’ apo diku tjetër, për momentin na mbetet të presim e të shohim“.