Ballina Aktualitet KPP Çertifikon Grabitjen/ Si u mbyllën sytë para tenderit 10 milionë euro...

KPP Çertifikon Grabitjen/ Si u mbyllën sytë para tenderit 10 milionë euro të RTSH-së

41
0

Komisioni i Prokurimit Publik ka hedhur firmën përfundimtare mbi një nga aferat më flagrante të fryrjes së fondeve publike në fushën e medias shtetërore, duke legjitimuar zyrtarisht atë që ekspertët dhe vetë brenda strukturave e konsiderojnë një grabitje të hapur.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2” për një kohëzgjatje prej 48 muajsh (4 vjet).

Dokumenti zyrtar i njoftimit të fituesit konfirmon se përfitues i kësaj kontrate është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “IDEA – TEL” Sh.p.k (pjesëmarrëse me 55%) dhe “REAL COM” Sh.p.k (pjesëmarrëse me 45%).

Vlera fituese e paracaktuar është plot 899,313,745 lekë pothuajse 9.9 milionë euro pa TVSH duke u ofruar në nivelin e 99.3% të fondit limit prej 906 milionë lekësh.

Skandali thellohet edhe më shumë pasi bashkimi i operatorëve rivalë “R&T” dhe “TBS 96” kishte paraqitur një ofertë që ishte rreth 1.2 milionë euro më e ulët sesa ajo e shpallur fituese.

KPP Çertifikon Grabitjen/ Si u mbyllën sytë para tenderit 10

Mirëpo, autoriteti kontraktues i RTSH-së zgjodhi t’i sdisualifikonte ata duke pretenduar mangësi në autorizimin e prodhuesit dhe pretendime për “falsifikim”, duke i prerë rrugën kursimit të fondeve publike e duke lënë si të vlefshme vetëm ofertën e majme të Idea-Tel dhe Real Com.

Akuzat nga brenda: Vlera e shërbimit u dyfishua pa asnjë logjikë
Ndonëse KPP ka vendosur ta çertifikojë këtë procedurë, një aksion denoncues dhe një opinion konfidencial i ardhur nga një prej 5 anëtarëve të vetë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të RTSH-së, nxjerr zbuluar skemën e korrupsionit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Kapitali.al, e njëjta kompani, Idea-Tel, e ka kryer saktësisht të njëjtin shërbim mirëmbajtjeje për periudhën paraardhëse (2021-2025) si nënkontraktore e kompanisë gjermane Rode & Shëarz. Dallimi është tronditës.

Në katër vitet e shkuara, shërbimi kushtoi 5.6 milionë euro. Për katër vitet e ardhshme, për të njëjtin rrjet dhe të njëjtat specifika, vlera u fry në 9.4 milionë euro.

Kjo do të thotë se çmimi është rritur me 61% ose gati 4 milionë euro më shumë për të njëjtin volum pune, pa asnjë investim të ri apo ndryshim teknologjik që ta justifikojë këtë kapërcim financiar.

Shkatërrimi i garës i çertifikuar nga KPP
Njoftimi i fituesit nga RTSH tregon se procedura ka qenë tërësisht një “farsë” pa konkurrencë reale. Nga tre oferta të paraqitura në total, njëra ishte plotësisht fiktive pasi nuk kishte asnjë dokument shoqërues, ndërsa tjetra (ajo me 1.2 milionë euro më pak) u nxor jashtë loje.

Rrjedhimisht, konkurrenca u reduktua në vetëm një ofertë të vlefshme, duke fshirë çdo presion mbi çmimin. RTSH “kurseu” vetëm 70 mijë euro nga fondi limit.

Në opinionin e anëtarit të KVO-së thuhet qartë se tek operatorët fitues Idea-Tel dhe Real Com mungojnë diplomat universitare për katër inxhinierë, si dhe kontratat e punës për stafin e deklaruar. Nuk provohet as nëse stafi i tyre ka eksperiencë minimale në sistemet DVB-T2.

Pavarësisht këtyre shkeljeve ligjore e dokumentare të rënda, spastrimit të ofertës më të ulët dhe fryrjes marramendëse të çmimit, Komisioni i Prokurimit Publik zgjodh ta çertifikojë procedurën, duke e kthyer këtë tender në një tjetër rast ku paratë e taksapaguesve shqiptarë ndahen përmes skemave të paracaktuara.