Ballina Politika Përplasjet fizike dhe fyerjet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë...

Përplasjet fizike dhe fyerjet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë të Nokës, Këlliçit dhe Krekës

53
0

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar masa disiplinore ndaj disa deputetëve të opozitës, pas tensioneve dhe përplasjeve fizike të regjistruara gjatë seancës së sotme plenare.

Socialistët kanë kërkuar përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve demokratë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Fidel Kreka, të cilët u përfshinë në incidentet e ndodhura në sallën e Parlamentit.

Kërkesa vjen pas përplasjes mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, ku situata degradoi në shtyrje fizike dhe shkëmbime fyerjesh. Në incident u përfshi edhe deputeti socialist Ervin Hoxha.

Për deputetë të tjerë të opozitës, grupi parlamentar socialist ka kërkuar masa më të lehta disiplinore, përfshirë përjashtimin me 10 ditë nga veprimtaria parlamentare.

Kërkesa pritet të shqyrtohet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, i cili do të vendosë nëse do të marrë masa disiplinore ndaj ligjvënësve të përfshirë në incidente.

Përplasjet e fundit rikthejnë tensionet në Kuvend, ku debatet politike mes mazhorancës dhe opozitës kanë kaluar sërish në konfrontime fizike.