Ballina Politika DEUTSCHE WELLE: Protestat kundër qeverisë në Shqipëri nuk kanë lidhje me ANTIFA-n

DEUTSCHE WELLE: Protestat kundër qeverisë në Shqipëri nuk kanë lidhje me ANTIFA-n

35
0

Media publike gjermane, DEUTSCHE WELLE, në një analizë për protestat rinore në Shqipëri, thekson se ato nuk kanë lidhje me lëvizjen ANTIFA, siç pretendon Edi Rama.

Më poshtë pjesë nga analiza e DW:

Që nga fillimi i protestave fillimisht paqësore kundër qeverisë gati pesë muaj më parë, Rama është përpjekur vazhdimisht të ekspozojë publikisht organizatorët “e vërtetë” pas protestave. Në muajt e fundit, ai ka akuzuar vende si Greqia, Rusia dhe Irani për ndërhyrje në protesta.

Kohët e fundit, ai shpalli një fajtor të ri: ANTIFA-n, lëvizje botërore, e decentralizuar e së majtës radikale, e cila nuk ka udhëheqës. “Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA-n” – deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Redion Qirjazi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe radikalizmin, nuk është dakord. “Kjo është një akuzë serioze, e cila kërkon prova po aq serioze. Deri më sot, nuk janë paraqitur publikisht prova të verifikueshme që dokumentojnë ekzistencën e një strukture të organizuar ANTIFA në Shqipëri, aq më pak përfshirjen e saj në koordinimin e protestave”, analizon Qirjazi.

Referenca e Ramës ndaj vendimit të presidentit të SHBA, Donald Trump, për ta klasifikuar ANIFA-n si një organizatë terroriste është gjithashtu problematike, sipas ekspertit Qirjazi. “ANTIFA nuk është një organizatë e vetme ndërkombëtare me strukturë dhe komande të centralizuar, por një emër që përfshin lëvizje dhe grupe të ndryshme, në thelb antifashiste”.

Studentja Sara gjithashtu e hedh poshtë me vendosmëri akuzën për struktura ‘terroriste’. “Ka grupe që përdorin dhunë, kjo është e vërtetë, por unë nuk kam të bëj fare me ta. Sapo shoh dhunë, largohem. Jam kundër saj”.