Ballina Kosovë Gjykata Speciale publikon vendimin për Thaçin, ja çfarë kërkoi mbrojtja dhe kur...

Gjykata Speciale publikon vendimin për Thaçin, ja çfarë kërkoi mbrojtja dhe kur shpallet aktgjykimi

35
0

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditura zhvillimet e fundit në çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, duke njoftuar për publikimin e një vendimi lidhur me pranimin e dëshmisë së një dëshmitari.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, më 19 tetor është bërë publik versioni i redaktuar i një vendimi të lëshuar në tetor të vitit 2025, në kuadër të çështjes për krime lufte kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Në këtë vendim, Trupi Gjykues ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që deklarata e një dëshmitari të pranohej si provë vetëm në formë të shkruar, pa qenë i nevojshëm paraqitja e tij për t’u marrë në pyetje në gjykatë.

Sipas arsyetimit të trupit gjykues, deklarata përmbante dëshmi lidhur me veprimet e drejtpërdrejta të disa të akuzuarve, si dhe me besueshmërinë e dëshmitarëve që kishin dëshmuar më herët gjatë procesit.

Për këtë arsye, gjyqtarët vlerësuan se ishte e rëndësishme që dëshmitari të ishte i disponueshëm për t’u marrë në pyetje nga pala kundërshtare, me qëllim të garantimit të drejtësisë së procesit dhe shmangies së dëmit ndaj palëve.

Rrjedhimisht, Trupi Gjykues i kërkoi mbrojtjes së Thaçit të ofronte informacionin e nevojshëm për mundësimin e paraqitjes së dëshmitarit në gjykatë, në vend që deklarata e tij të pranohej vetëm si provë me shkrim.

Ndërkohë, sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, më 17 nëntor pritet të mbahet shpallja e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me akuzat për ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve.

Kjo çështje është e ndarë nga procesi gjyqësor për krime lufte ndaj ish-presidentit dhe të tjerëve.