Ballina Ekonomia 100 mijë lekë shpërblim për vullnetarët e vitit, qeveria miraton kriteret e...

100 mijë lekë shpërblim për vullnetarët e vitit, qeveria miraton kriteret e përzgjedhjes

53
0

Qeveria ka miratuar një vendim që përcakton procedurat, kriteret dhe shpërblimet financiare për individët që japin kontribut të veçantë në veprimtaritë vullnetare në Shqipëri. Sipas vendimit, çdo vit do të përzgjidhen dy vullnetarë, të cilët do të përfitojnë shpërblime financiare përkatësisht 100 mijë dhe 50 mijë lekë, në varësi të kategorisë së angazhimit të tyre.

Vendimi, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, është hartuar në zbatim të ligjit nr. 94/2025, “Për vullnetarizmin”, dhe synon të njohë e të vlerësojë kontributin e individëve që angazhohen në mënyrë vullnetare në shërbim të komunitetit.

Sipas përcaktimeve, çmimet kombëtare do të ndahen në dy kategori. Kategoria e parë përfshin vullnetarët që kanë dhënë një kontribut të shquar në veprimtari afatgjata, ndërsa e dyta u dedikohet individëve që janë dalluar në angazhime vullnetare afatshkurtra.

Për secilën kategori do të shpallet vetëm një fitues.

Vullnetari i vitit për kontribut afatgjatë do të shpërblehet me 100 mijë lekë, ndërsa fituesi për kontribut afatshkurtër do të marrë 50 mijë lekë. Në total, fondi vjetor për të dy çmimet do të jetë 150 mijë lekë, i cili do të përballohet nga buxheti i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Vendimi përcakton një sistem vlerësimi me 100 pikë, ku pesha më e madhe i jepet ndikimit që aktiviteti vullnetar ka pasur në komunitet.

Konkretisht, ndikimi dhe kontributi në komunitet do të vlerësohen me maksimumi 40 pikë. Në këtë kategori do të merren parasysh përmirësimi i mirëqenies së komunitetit, adresimi i nevojave sociale, përfshirja e të rinjve në aktivitete vullnetare dhe promovimi i angazhimit qytetar.

Përkushtimi, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e angazhimit do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa integriteti dhe respektimi i parimeve etike do të përbëjnë 30 pikët e mbetura.

Në këtë mënyrë, përzgjedhja nuk do të mbështetet vetëm në kohëzgjatjen e angazhimit, por edhe në rezultatet konkrete që aktiviteti vullnetar ka sjellë për komunitetin.

Sipas vendimit, kandidaturat nuk do të paraqiten drejtpërdrejt nga individët, por nga ofruesit e vullnetarizmit, të cilët duhet të dorëzojnë pranë institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë listën e kandidatëve të propozuar.

Çdo kandidaturë duhet të shoqërohet me një raport aktiviteti që dokumenton angazhimin dhe arritjet e vullnetarit gjatë vitit paraardhës.

Afati për paraqitjen e nominimeve është data 31 mars e çdo viti, ndërsa procesi i vlerësimit duhet të përfundojë brenda datës 30 prill.

Për shqyrtimin e kandidaturave do të ngrihet një komision me tre anëtarë, ku një përfaqësues do të jetë nga ministria përgjegjëse për punësimin dhe dy përfaqësues nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Pas vlerësimit, komisioni do t’i paraqesë drejtorit të përgjithshëm raportin përfundimtar dhe listën e fituesve për miratim. Emrat e individëve të përzgjedhur do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit.

Një tjetër kufizim i parashikuar në vendim është se i njëjti individ nuk mund të shpallet fitues për dy vite radhazi në të njëjtën kategori, duke krijuar mundësi që çmimet të përfitohen nga vullnetarë të ndryshëm.