Një zjarr në ambientet e një kompleksi në Tiranë, ku ndodhet televizioni online Dritare TV, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, veçanërisht në regjinë e transmetimit.
Drejtuesja e televizionit, gazetarja Rudina Xhunga, ka rrëfyer momentet e vështira, duke bërë të ditur se zjarri dyshohet se nisi nga tubat e aspirimit te një restoranti dhe u përhap drejt ambienteve të televizionit, pak pasi kishin përfunduar xhirimet e dy emisioneve.
“Po digjeshim”, shprehet Xhunga, duke kujtuar momentet kur përparësi ishte nxjerrja e njerëzve në siguri, ndërprerja e energjisë elektrike dhe mbërritja e zjarrfikësve, të cilët i falënderoi për ndërhyrjen e shpejtë.
Përveç dëmeve nga flakët, shkrirja e tubave të shkarkimit të ujërave dhe të shiut shkaktoi edhe përmbytjen e ambienteve, ndërsa uji vijon të depërtojë në hapësirat e dëmtuara.
Xhunga bëri të ditur gjithashtu se për ngjarjen janë bërë kallëzime në Polici dhe Prokurori, ndërsa u kërkoi ndjekësve mirëkuptim për uljen e aktivitetit të televizionit gjatë kësaj periudhe, duke falënderuar zjarrfikësit për ndërhyrjen e shpejtë
“Na falni për këtë periudhë me pak aktivitet! Por do të vijojmë të jemi bashkë”, shkruan Rudina Xhunga, duke theksuar vendosmërinë për të vijuar punën pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga zjarri.







