Ballina Europë ​Evropianët janë ngopur me rritjen e çmimeve, protesta në shtatë vende

​Evropianët janë ngopur me rritjen e çmimeve, protesta në shtatë vende

37
0

Në tetor, besimi i konsumatorëve në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në pesë muajt e fundit, sipas një sondazhi të Komisionit Evropian.

Qytetarët janë gjithnjë e më të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po gërryen fuqinë e tyre blerëse. Ndërkohë, në disa vende evropiane janë zhvilluar protesta për shkak të rritjes së çmimeve, si dhe për çështje që lidhen me sektorët e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Indeksi që mat pritjet e konsumatorëve në Eurozonë ra me 1,1 pikë në tetor krahasuar me shtatorin, duke arritur në minus 17,9 pikë, tregon raporti mujor i Komisionit Evropian, raporton KosovaPress.

Një rënie u regjistrua gjithashtu në të gjithë Bashkimin Evropian, ku indeksi ra me 1,2 pikë, në minus 17,3 pikë. Kjo tregon se besimi i konsumatorëve është larguar sërish edhe më shumë nga mesatarja afatgjatë e BE-së, vëren Komisioni.

Qytetarët janë veçanërisht të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po ul fuqinë e tyre blerëse.

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve.

Për shkak të rritjes së çmimeve, krizës së banesave dhe infrastrukturës së amortizuar në arsim dhe kujdesin shëndetësor, qytetarët kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Austri, Spanjë, Greqi, Itali dhe Portugali.

Komisioni Evropian kreu një sondazh midis 1 dhe 21 tetorit në 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Estonisë. Sondazhi mbulon 99,8 për qind të konsumit total përfundimtar në BE dhe në Eurozonë.

Komisioni do të publikojë një raport gjithëpërfshirës mbi pritjet ekonomike për Bashkimin Evropian dhe eurozonën në fund të muajit.