Edi Rama sulmoi sërish mediat në monologun e tij pa asnjë gazetar përballë.
Ndërkohë që reporterët kanë rënë pre e dhunës brutale policore, Rama tha se kjo ishte një protestë e krimit, e cila u heroizua nga mediat.
“Në duart e policisë janë edhe pjesëmarrësit në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë ku pa dyshi qershia mbi tortë ose më saktë glasa mbi tortë është PD, e cila dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës tek Ministria e Arsimit,” tha Rama.
“Këta janë një pjesë e komponentit kriminal të një proteste e cila u heroizua nga ekranet e korruptuara nga VIP-at dhe të gjitha ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjes duke grabitur pensionet që paguhen me shuma të majme të padeklaruara dhe ndërkohë qajnë hallin e pensionistëve, qajnë hallin e studentëve.
Ajo turme ishte një konglomerat që brenda vetes ka edhe të rinj idealistë, por krejtësisht të keqkuptuar, të radikalizuar dhe të ekstremizuar me teoritë destruktive të ANTIFA-s dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila tek dhuna dhe terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Evropën.
Atyre u them të distancohen nga dhuna. Idetë janë çështje zgjedhje, por dhuna nuk është ide, dhuna është krim, dhuna është armik i demokracisë, është armik i lirisë, është armik i qetësisë, është armik i sigurisë,” deklaroi Rama.







