Ballina Kulturë Vdes Ryu Murakami, shkrimtari që tronditi botën me romanet e tij

Vdes Ryu Murakami, shkrimtari që tronditi botën me romanet e tij

45
0

Shkrimtari dhe regjisori japonez Ryu Murakami, një nga emrat më provokues të letërsisë bashkëkohore japoneze, është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare. Ai ndërroi jetë më 17 tetor në banesën e tij në Tokio, ndërsa lajmi u bë publik këtë të premte, më 23 tetor, nga shtëpia botuese Gentosha. Ceremonia mortore u zhvillua privatisht, në praninë e familjarëve.

I lindur më 19 shkurt 1952 në Sasebo, në prefekturën Nagasaki, Murakami u bë i njohur për veprat e tij të guximshme, të cilat trajtonin anët e errëta të shoqërisë moderne, përfshirë dhunën, drogën, seksualitetin, tjetërsimin dhe krizën e identitetit. Romanet e tij u përkthyen në gjuhë të ndryshme dhe e vendosën atë mes autorëve japonezë që sfiduan normat tradicionale të letërsisë dhe shoqërisë.

Debutimi i tij letrar erdhi në vitin 1976 me romanin “Almost Transparent Blue”, të shkruar kur ishte ende student. Vepra rrëfen jetën e një grupi të rinjsh të përfshirë në drogë, seks dhe një ekzistencë të shënuar nga boshllëku emocional, në një qytet pranë një baze ushtarake amerikane. Romani u vlerësua me çmimin Gunzo për autorët e rinj dhe me çmimin prestigjioz “Akutagawa”, një prej vlerësimeve më të rëndësishme të letërsisë japoneze. Libri u kthye në bestseller, me rreth 3,5 milionë kopje të shitura.

Një tjetër prej veprave të tij më të njohura është “Coin Locker Babies”, botuar në vitin 1980. Romani trajton historinë e dy fëmijëve të braktisur në dollapët e bagazheve në një stacion treni dhe rrugëtimin e tyre në një shoqëri të mbushur me dhunë, përjashtim dhe humbje. Libri i solli autorit çmimin “Noma” për autorët e rinj dhe përforcoi reputacionin e tij si një shkrimtar që eksploronte temat e pakëndshme të jetës moderne.

Në vitin 1997, Murakami botoi “In the Miso Soup”, një roman që e çon lexuesin në lagjet e argëtimit të natës në Tokio, përmes historisë së një të riu japonez që shoqëron një turist të huaj. Vepra eksploron dhunën dhe anët shqetësuese të jetës urbane, duke ruajtur stilin e drejtpërdrejtë dhe provokues që karakterizonte krijimtarinë e tij. Për këtë roman, shkrimtari u vlerësua me çmimin letrar “Yomiuri” në vitin 1998.

Përtej letërsisë, Ryu Murakami punoi si skenarist dhe regjisor, ndërsa disa nga veprat e tij u përshtatën për ekranin. Ai ishte gjithashtu një figurë e njohur e televizionit japonez, ku për rreth dy dekada shërbeu si intervistues kryesor në emisionin Cambrian Palace, kushtuar botës së biznesit dhe drejtuesve të saj.

Me një krijimtari që nuk shmangu temat e vështira dhe imazhet tronditëse, Murakami ndërtoi një profil të veçantë në letërsinë japoneze. Veprat e tij sollën në qendër personazhe të margjinalizuar dhe tensionet e një shoqërie në ndryshim, duke e bërë atë një prej autorëve më të dallueshëm të brezit të tij.