Ballina Aktualitet Ermal Beqiri i çon sinjal Ramës nga salla e gjyqit: Korruptova shtetin,...

Ermal Beqiri i çon sinjal Ramës nga salla e gjyqit: Korruptova shtetin, nga ata asnjë nuk është në burg

105
0

Nga Gautier Lecardonnel

Ermal Beqiri u kthye në gjykatën e Apelit në Amiens këtë të premte, më 23 tetor 2026. Pas kërkesës së tij për lirim, e shqyrtuar tri ditë më parë nga dhoma hetimore, sipërmarrësi shqiptar dëgjoi vendimin e gjyqtarëve: kërkesa u rrëzua.

Kështu, ai do të qëndrojë pas hekurave ndërsa drejtësia vendos për fatin e tij, pra nëse do t’u dorëzohet apo jo autoriteteve shqiptare.

Beqiri me banim në kështjellën e Auteuil në Berneuil-en-Bray (Oise), refuzon t’i nënshtrohet kërkesës për ekstradim që është paraqitur ndaj tij. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Tiranë dyshon se ai është një nga organizatorët e një rrjeti që ka përfituar tenderë për teknologjinë e informacionit të shtetit shqiptar, duke shtrembëruar konkurrencën dhe duke përdorur intimidimin.

Një çështje që ka shkaktuar shumë bujë në Shqipëri: po shqyrtohen 19 procedura të prokurimit publik, me një vlerë të përllogaritur prej 59 milionë eurosh.

Në gusht, dhoma hetimore kishte kërkuar informacion shtesë përpara se të merrte një vendim.

Këtë të premte, ajo shqyrtoi në themel kërkesën për ekstradim, pas përgjigjes së drejtësisë shqiptare: një shkresë nga ministri i Drejtësisë, një tjetër nga drejtuesi i prokurorisë antikorrupsion lidhur me garancitë ligjore dhe një e tretë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Në mbrojtje të tij, avokati Nicolas Paganelli vlerëson se këto dokumente janë të diskutueshme si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja: ‘Janë drafte, nuk është punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi i pas shitjes për garanci diplomatike të paplota’, deklaroi ai.

Në sallën e gjyqit, i interesuari shpjegoi se sa e vështirë ishte të kishte besim te drejtësia e vendit të tij: ‘Nëse kam korruptuar dikë, kam korruptuar shtetin. Por nga ky krah, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është tërësisht politike.’

Prokuroria e Përgjithshme në Amiens, nga ana e saj, vlerëson se ekstradimi duhet të kryhet: ‘Ju kërkohet të mbani qëndrim për sistemin gjyqësor shqiptar, por kjo nuk është detyra e dhomës hetimore’, argumentoi prokurorja e përgjithshme, e cila e kishte përmbledhur më parë çështjen me fjalët: ‘Në Shqipëri po zhvillohet një operacion i madh pastrimi.’