Media greke “Protothema” i ka kushtuar një artikull protestave në Shqipëri, duke vënë në fokus akuzat për dhunë policore, kallëzimin e depozituar në SPAK dhe zgjerimin e mbështetjes për studentët nga sindikatat e arsimit.
Sipas medias greke, qeveria e Edi Ramës po përballet me presion në dy fronte: kërkesat për hetimin e përgjegjësive për ndërhyrjet policore dhe mobilizimin e studentëve, pedagogëve e mësuesve në protesta të reja. “Protothema” ndalet te kallëzimi penal i paraqitur nga qendra Res Publica, organizata, avokatë, studentë dhe qytetarë, të cilët kërkojnë hetimin e sjelljes së forcave të policisë gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera.
Sipas kallëzuesve, janë regjistruar më shumë se 180 incidente të dyshuara, që përfshijnë goditje ndaj protestuesve, përdorim joproporcional të forcës, arrestime të dhunshme dhe ndërhyrje nga efektivë me fytyra të mbuluara e pa shenja identifikuese. Artikulli thekson se kallëzimi drejtohet ndaj kreut të Policisë, Skënder Hita, dhe zyrtarëve të tjerë. Gjithashtu, kërkohet shqyrtimi i rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, për urdhrat që mund të jenë dhënë dhe komunikimet me drejtuesit e operacioneve policore.







